Draghi kundër Obama-s

06/06/2012 18:15

Presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi iu përgjigj me ton propozimit të presidentit amerikan, Barack Obama për të ndërhyrë në ekonominë europiane.

Duke folur në Frankfurt, pasi Banka Qendrore Europiane e la të pandryshuar normën e interesit prej 1%, Draghi tha se nuk mund t’i lihet faji për krizën ekonomike botërore eurozonës.

“Nuk është e drejtë apo e ekuilibruar të thuhet se Europa është shkaku kryesor i krizës. Por edhe ekonomitë e mbyllura me një borxh të lartë publik dhe defiçitin në rritje duhet të bëjnë korrigjimet e tyre”, deklaroi Draghi.

Presidenti amerikan Obama përgjigjet duke thënë se: “duhet një plan i menjëhershëm për të zgjidhur krizën europiane”.

I po të njëjtës linjë është edhe kryeministri britanik, David Cameron, i cili zhvilloi një bisedë telefonike me shefin e Shtëpisë së Bardhë, mbi krizën e borxhit në Europë dhe takimin e ardhshëm të G20-ës.

Pavarësisht se presidenti i Bankës Qendrore Europiane pranoi seriozitetin e situatës ekonomike, BQE nuk pritet të marrë ndonjë hap të shpejtë për të garantuar ndihmë të mëtejshme financiare.

Ky insitutcion ka siguruar 1 trilion euro për sistemin bankar me dy operacione rifinancimi, përmes të cilave do të lehtësohen kostot e huamarrjes.

Ndërkohë, ministri spanjoll i Ekonomisë hodhi poshtë spekulimet se vendi është në prag të kërkimit të një huaje madhore, si rrjedhojë e defiçitit të madh të financave shtetërore.

Luis de Guindos, në një konferencë për shtyp gjatë së mërkurës, u shpreh se nuk ka asnjë bazë në lidhje me spekulimet për huamarrjen e afërt. 

Top Channel