Afganistan, 22 të vdekur në sulmet vetvrasëse

06/06/2012 15:40

Dy sulme vetvrasës kanë tronditur Afganistanin e kanë shkaktuar mbi 22 të vdekur në qytetin e trazuar të Kandaharit.

Shpërthimet ndodhën në një treg në afërsi të aeroportit, zonë ku kalojne shpesh edhe kamionet me furnizime për forcat e NATO-s, pasi një bazë e rëndesishme e trupave të aleancës ndodhet aty prane.

Nga sulmet u plagosen edhe të paktën 50 persona. Përgjegjësinë e shpërthimit e morën talebanët. Kandahari njihet si qendër e aktivitetit të besnikëve të regjimit të përmbysur radikal islamik.

Sipas zyrtarëve vendas, të gjithë të vrarët ishin civilë, përfshi këtu tregëtarë të zonës e kalimtarë të rastit. Disa prej të lënduarve janë në gjendje kritike për jetën.

Kamikazi i parë ishte me motorcikletë e goditi një varg kamionësh me furnizime që prisnin në radhë pranë aeroportit të Kandaharit. Disa minuta më vonë, kur një turmë njerëzish ishin mbledhur në vendngjarje, mbërriti dhe i dyti, këtë herë në këmbë, i cili mbante në trup një brez me eksplozivë.

Sulmet e dyfishta janë një fenomen thuajse i zakontë për Irakun, por tepër i rrallë në Afganistan.

Kandahari po kullon gjak, i tha BBC-së nje lider fisnor. Vdekjet e sotme e bëjnë këtë ditën më të përgjakshme prej javësh të tëra në Afganistan, ku përgjithësisht ka patur një rënie të dhunës krahasuar me të njëjtën periudhë vitin që shkoi.

Top Channel