Megjithë reshjet e dendura, rrugët e bllokuara dhe trafikut të ngjeshur, stafeta e gjelbër, organizuar nga programi ”Ecovolis”, me pjesëmarrjen e ambasadorit amerikan Arvizu dhe përfaqësive të ambasadave holandeze, çeke, franceze e spanjolle arriti të dorëzojë flamurin e saj në duart e ministrit të Mjedisit, Fatmir Mediu.
Disa përfaqësi të tjera, si ajo daneze dhe austriake përshëndetën këtë nisëm në Sheshin Skënderbej, nga ku ajo kaloi, ambasadë pas ambasade për të përcjellë stafetën, deri sa ajo u përcoll prej rreth 30 përfaqësuesve dhe aktivistëve drejt Ministrisë së Mjedisit, bashkë me mesazhin e domosdoshmërisë për një mbështetje konstante dhe në bashkëpunim të çështjeve të mjedisit që na rrethon.
Ambasadori Arvizu përshëndeti stafetën duke theksuar rëndësinë e sipërmarrjeve të tilla dhe duke falenderuar për përfshirjen e grupeve diplomatike në këtë aktivitet.
Duke i dhënë një karakter edhe më zyrtar nismës së “Ecovolis”, shoqëruar nga përfaqësitë ndërkombëtare, Ministri i Mjedisit, Mediu tha se shpreson se pas tre, katër ditësh ai të mundet t’i dorëzojë presidentit konsensual këtë stafetë të gjelbër.
Stafetën e pershendeti dhe ambasadori Sequi, i cili është një pedalues besnik dhe mbështetës i nismës “Ecovolis”.
Top Channel