Dymbëdhjetë vjet pas luftës qeveria e Kosovës dëshiron të gjejë drejtësinë për atë që ndodhi në luftën e fundit dhe në periudhën e tranzicionit duke marrë parasysh pikëpamjet e të gjitha komuniteteve në Kosovë, për të siguruar kështu paqen e qëndrueshme mes komuniteteve.

Kabineti qeveritar miratoi këtë të hënë vendimin për krijimin e grupit punues ndërministror për ballafaqimin me të kaluarën dhe pajtimin.

Sipas vendimit të qeverisë, grupi synon disa objektiva sic janë arritja e drejtësisë, ofrimin e kompensimit për viktimat, lehtësimin e kërkimit të së vërtetës si dhe marrjen e të gjitha masave për të rikthyer besimin në institucionet e shtetit. Në pjesën ku përshkruhen kompetencat e këtij grupi thuhet se grupi ka kompetenca të zbatojë një qasje gjithëpërfshirëse, me ndjeshmëri gjinore, për t’u ballafaquar me të kaluarën e cila përfshinë luftën e fundit dhe periudhën e fundit duke marrë parasysh pikëpamjet e të gjitha komuniteteve në Kosovë.

Ky grup do të jetë pikë qendrore referimi dhe mund të lehtëso dhe mbështetë dialogun mes grupeve të synuara, institucioneve shtetërore, organizatave jo qeveritare dhe komunitetit ndërkombëtar.   

I menjëhershëm ishte reagimi i Zyrës Civile Ndërkombëtare ka mirëpritur vendimin e sotëm të Qeverisë së Kosovës për krijimin e Grupit Punues Ndërministror për Ballafaqimin me të Kaluarën dhe Pajtimin

“Të gjithë e dimë se Kosova ka kaluar nëpër një të kaluar jo të largët të mundimshme dhe të dhimbshme. Gjurmët e konfliktit ende janë të pranishme, por është shumë me rëndësi për Kosovën që të krijojë mekanizma për t’u marrë me nevojat e viktimave dhe të familjeve të tyre që të sigurohet paqja e qëndrueshme dhe pajtimi brendapërbrenda Kosovës”, citohet të ketë thënë shefi i ICO-së Pietër Faith.

“Grupi Punues, së bashku me përfaqësuesit e shoqërisë civile, do të kërkojë përgjigje dhe zgjidhje për çështjet si dhënia e llogarisë për krimet e kryera; mbështetja e gjerë ndaj viktimave; lehtësimi i kërkimit të së vërtetës; dhe promovimi i shërimit për të siguruar paqe të qëndrueshme afatgjate dhe pajtim në Kosovë dhe rajon”, thuhet në reagimin e ICO-së.

Kryesuese e grupit punues është zyra e kryeministrit, ndërkaq që pjesë e tij janë  ministria e dretjësisë, zyra e presidentit, shoqëria civile, këshilli prokurorial dhe ai gjyqësor, përfaqësues të zyrës së BE-së në Kosovë, prokurorisë së eulexit, përfaqëuses nga kryqi i kuq si dhe përfaqësues nga ambasadat amerikane holandeze norvegjeze dhe zvicerane në Kosovë.

Top Channel