Sulmohet në burg kryekomunari i Rrethinës

04/06/2012 16:45

Është sulmuar në ambientet e burgut, duke marrë dëmtime të rënda në kokë, kryetari i komunës së Rrethinës, Klevis Muja.

Sipas informacioneve të fundit, Muja është goditur me mjete të forta në kokë dhe si pasojë e dëmtimeve është transportuar nga policia në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Burime nga ky institucion bëjnë të ditur se 38-vjeçari aktualisht ndodhet në repartin e reanimacionit në gjendje shumë të rëndë, për shkak të dëmtimeve të marra në tru.

Muja ndodhej në Burgun e Shënkollit pas vendimit të gjykatës me 40 ditë paraburgim. Ai u arrestua pak ditë më parë për llogari të drejtsisë italiane, e cila e akuzon atë për trafik droge.

Emri i drejtuesit të lartë lokal në komunën e Rrethinës në Shkodër ishte dorëzuar në listën me dhjetra emra që drejtësia italiane i ka dorëzuar policisë shqiptare.

Pjesa më e madhe e të kërkuarve akuzohen për trafik të lëndëve narkotike, shfrytëzim prostitucioni apo vjedhje. Klevis Muja është zyrtari i dytë i pushtetit lokal që kërkohet nga drejtësia italiane.

Emri i parë i bërë publik ishte ai i Fatmir Kajollit, anëtar republikan i Këshilllit të Qarkut në Fier. Ndaj Kajollit ka dy vendime të gjykatave italiane, një vendim me 24 vjet burg dhe një tjetër me 16 vjet. 

Top Channel