Siri, thyhet armëpushimi

04/06/2012 23:15

Kryengritësit në Siri tërhiqen nga armëpushimi, një prej pikave të planit të të dërguarit të OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Anan.

Zëdhënësi i Ushtrisë së Lirë siriane, Sami Al Kurdi i tha agjensisë Reuters se ata kanë nisur misionin e mbrojtjes së popullit, duke vënë në shënjester ushtarët pro-regjimit.

Sipas “Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut”, të paktën 80 ushtarë u vranë në fundjave, në perleshje me kryengritesit, në Damask dhe Idlib. Kjo deklaratë formalizon cfarë po ndodh në Siri javët e fundit si dhe pas fjalimit të presidentit Bashar Al Asad të dielën në Parlament. Ai këmbënguli se Damasku nuk po përballet me një krizë të brendshme por me një luftë të jashtme.

Të paktën 31 persona u vranë në të gjithë Sirinë, të hënën, kryesisht nga forcat pro-regjimit.

Në Turqi u shpall formimi i koaliconit të ri të opozitës, me 12 mijë luftëtarë e themeluar si kundërpërgjigje ndaj dështimit arab dhe ndërkombëtar për ta frenuar Asadin nga krimet e tij.

Të hënën, ministri i Jashtëm francez Lorent Fabius tha se shumë abuzime janë bërë nga regjimi në Siri dhe se nuk mund të ketë zgjidhje afatgjatë nëse Asad vazhdon të qëndrojë në pushtet. Por Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun nënvizoi se plani i Kofi Anan mbetet thelbi i zgjidhjes së krizës në Siri.

I dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe do t’i raportojë Këshillit të Sigurimit të enjten dhe do të zhvillojë bisedime në Uashington, me administratën amerikane.

Rusia dhe Kina kundërshtojnë ndërhyrjen ushtarake në Siri. Disa vëzhgues thonë se bashkësia ndërkombëtare nuk ka një plan B, nëse plani gjashtëpikësh dështon.

Top Channel