Libi, besnikët e Gadafit bllokojnë aeroportin

04/06/2012 16:50

Një grup ushtarakësh, nostalgjikë të Gadafit “pushtuan” aeroportin e Tripolit në Libi duke detyruar autoritetet të ndërpresin të gjitha fluturimet, vajtje dhe ardhje drejt këtij aeroporti.

Sic raporton televizioni arab, Al Jazeera një grup i milicisë së armatosur mban të rrethuar aeroportin “Qaser Ben Ghashir”, ndërsa agjencia libiane e lajmeve, LANA njofton se ka patur përleshje të armatosura. Dhjetra mjete të pajisura me armë të kalibrit të rëndë pushtuan pistën e aeroportit duke detyruar të zbrisnin pasagjerët e një avioni i cili ishte gati për fluturim.

Po sipas kësaj agjencia, deri më tani nuk ka raportime për viktima, ndërkohë që qeveria e përkohëshme e opozitës që rrëzoi Gadafin u shpreh e gatshme të hyjë në bisedime për t’u njohur me kushtet e grupit të armatosur.

Pak pas mesditës, njofton LANA, situata u qetësua dhe të shtënat e armëve nuk dëgjoheshin më, por megjithatë aeroporti mbetet ende jashtë funksionit.

Mediat vendase thonë se brigata e armatosur vetëquhet “Al Awfia” e themeluar në qytetin Tarhouna, 60 kilometër në lindje të Tripolit, një rajon i njohur si bastion i ish-diktatorit Gadafi. Të njëjtat burime shtojnë se ndër kërkesat e “Al Awfia” është edhe lirimi i liderit të saj, Abu Ujeila al Habashi, ish-udhëheqës i kësaj brigate i zhdukur prej disa ditësh nga skena publike vendase.

Milicët akuzojnë qeverinë se ka organizuar arrestimin e tij, ndërkohë që kjo e fundit reagoi duke deklaruar se nuk ka gisht në zhdukjen e Al Habash. Kreu i Këshillit Tranzitor, Mustafa Jalil u shpreh i gatshëm për një takim me udhëheqësit ushtarakë të milicisë dhe propozoi që në këmbim të tërheqjes së tyre nga aeroporti, të nisë një hetim të autoriteteve mbi zhdukjen e Al Habashit.

Situata mbetet e tensionuar. Perëndimi dhe vetë autoritetet e përkohëshme i druhen përshkallëzimit të dhunës kur vendi po përgatitet për mbajtjen e zgjedhjeve të para demokratike, pas rrëzimit të diktatorit Gadafi. Sa për zgjedhjet, Al Jazeera në edicionin online shkruan se ato janë shtyrë edhe 14 ditë të tjera nga data e paracaktuar. Zgjedhjet pritet të mbahen në javën e parë të muajit korrik dhe shkak për këtë, sipas Al Jazeera, janë bërë disa probleme proceduriale në organizimin e tyre.

Në zgjedhjet për parlamentin e ri, deri më tani janë regjistruar 4 mijë kandidatë për 200 vende që do të ketë asambleja e re popullore.

Top Channel