Aksidenti ajror, zi në Nigeri

04/06/2012 00:00

Nuk ka asnjë të mbijetuar nga përplasja e avionit me 150 pasagjerë në bord në Lagos të Nigerisë. Lajmin e bën të ditur Autoriteti i Aviacionit Civil i shtetit afrikan.

Sipas BBC nuk dihet ende shkaku i rrëzimit të avionit. Presidenti i Nigerisë, Goodluck Jonathan ka shpallur tre ditë zie kombëtare pas përplasjes së avionit në lagjen Iju.

Gjithashtu nuk dihet ende se sa persona kanë humbur jetën në tokë nga rrëzimi i avionit.

Avioni po udhëtonte nga kryeqyteti i Nigerisë Abuja për në Lagos kur u rrëzua dhe shpërtheu në flakë. Pjesë nga avioni duke përfshirë një nga krahët u shkëputën duke goditur një ndërtesë.

Në një deklaratë për mediat, presidenti Jonathan urdhëroi edhe hetimin e plotë të këtij aksidenti.

“Kjo ngjarje ka shtuar trishtimin e të gjithë nigerianëve në një ditë kur ishim të shokuar nga humbja e jetëve të pafajshme në një atentat me bombë në Bauchi”, deklaroi Goodluck Jonathan.

Nigeria, ashtu si edhe shumë shtete të tjera afrikane, ka një siguri ajrore në nivele të ulta edhe pse janë bërë përpjekje në përmirësimin e saj që nga një seri aksidentesh ajrore në vitin 2005.

Top Channel