Kriza siriane në Liban, ushtria në rrugë

03/06/2012 09:30

Të paktën nëntë persona mbetën të vrarë dhe mbi 20 të tjerë u plagosën në qytetin port të Tripolit, në Liban, pas përleshjeve të inkurajuara nga situata në Siri.

Mbështetës dhe kundërshtarë të Presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, u përballën me armë automatike dhe granata në rrugët e qytetit, mbrëmjen e së shtunës dhe mëngjesin e së dielës.

Autoritetet u detyruan të vendosinin në qytet trupa të ushtrisë për të stabilizuar situatën, por tensioni mbetet i lartë, ashtu si dhe rreziku për përballje të reja.

Kryeministri Najib Mikati organizoi një mbledhje urgjente të qeverisë, për të biseduar për masat e mundshme përballë kësaj situate.

Tensioni në qytetin port ka qenë i lartë që prej nisjes së revoltave në Siri.

Në muajt e fundit, ka pasur gjithmonë e më shumë përplasje midis grupeve të muslimanëve sunitë dhe grupeve alauite.

Në 14 maj, pesë persona mbetën të vrarë në përleshje të ngjashme, në të njëjtin qytet, ndërsa një klerik sunit u arrestua me akuzën e terrorizmit dhe frymëzimit të dhunës në vend.

Historia siriane dhe ajo libaneze ka qenë vazhdimisht e ndërthurrur dhe të dy vendet kanë pasur vazhdimisht ndikim në jetën politike të fqinjit.

Siria, partneri që ka dominuar vazhdimisht Libanin, një vend me sipërfaqe të ngjashme me Kosovën dhe popullsi prej 4,2 milionë banorësh, ruajti një prezencë të madhe ushtarake në vend për më shumë se 29 vjet, duke tërhequr trupat e fundit vetëm në vitin 2005.

Që prej atëherë, Damasku ka ruajtur tradicionalisht një influencë të rëndësishme mbi jetën politike dhe politikën zyrtare të Bejrutit.

Top Channel