Blerësit rusë po mbysin tregun e blerjeve të pasurive të paluajtshme në vendet më turistike të Greqisë. Vetëm në 5 muajt e parë të këtij viti ka një rritje prej 35% të shtëpive që shiten në zonat e Halkidhikisë, në lindje të Selanikut si dhe në Kretë apo në ishujt e tjerë turistike, ndërsa çmimet kanë pësuar një rënie nga 20 deri ne 40% për arsye të krizës ekonomike.

Janis Revithis, president i Federatës greke të Agjentëve Real Estate, deklaron: “Mund të themi se ka një rritje në kërkesa të paktën 200% nga blerësit e interesuar rusë dhe kjo duket edhe në kërkesat për akomodime turistike prej tyre, të cilat u rritën të paktën me 100% siç jemi informuar nga agjentët turistikë. Pra ne shohim një kthese të madhe të interesit të Rusisë dhe të rusëve vetë drejt tregut grek.”

Sipas agjentëve të shitjeve, të dy vendet kanë një histori të gjatë bashkëpunimi. Por ajo është thelluar në dy apo tre vitet e fundit sepse janë rritur kërkesat nga Rusia për të krijuar një portë të vogël në detin Mesdhe.

Blerësit gjermanë, britanikë dhe francezë kanë dominuar për një kohë të gjatë në tregun e turizmit grek, por ky burim duket se po shterron përkohësisht për shkak të krizës. Ndërsa vetë grekët nuk preferojnë të blejnë në këtë situatë dhe nxjerrin depozitat e tyre jashtë vendit me frikën e një daljeje të mundshme nga Eurozona, rusët këtë e shohin si një shans të mirë ndaj dhe përbëjnë rreth 80% të blerësve.

”Ka shumë që janë miliarderë dhe duan të blejnë një shtëpi verore prej disa milionë eurosh dhe shembuj të tillë ka pasur shumë në vitin e kaluar. Por ka edhe shumë të interesuar për apartamente të vogla rreth 60, 80 apo 100 metra katrorë të cilat ata duan t’i gëzojnë gjatë muajve të verës apo të tjerë që janë pensionistë dhe vijnë këtu për periudha të gjata”, shton Revithis.

Ekspertët thonë se rusët janë duke blerë shtëpi, vila, hotele dhe madje edhe ishuj të vegjël në të gjithë Greqinë. Frika se vendi mund të dalë nga euro nuk e ka zbehur dëshirën ruse për blerje, ndërsa edhe për vendasit ata janë të preferuar si klientë.
Konstantinos Petridhis, agjent shitjesh, tregon: “Ata e shohin Greqinë si një vend mik, shohin fenë ortodokse, shohin mirëdashjen e grekëve dhe mikpritjen dhe sigurisht, çmimet janë bërë më tërheqëse për rusët.”

Federata greke e shitblerjeve është tashmë në bisedime edhe me Ministrinë e Jashtme për të lehtësuar regjimin e vizave për ata rusë që blejnë prona në Greqi dhe madje edhe për të siguruar shtetësinë për ata që investojnë mbi një milionë euro në blerje të pasurive të patundshme të vendit.
 

Top Channel