Egjipt, rikthehen protestat në shesh

03/06/2012 08:15

Me dhjetëra mijëra egjiptianë vazhduan protestat në orët e para të mëngjesit të së dielës, duke pushtuar sheshin Tahrir në Kajro, pasi ish-presidenti Hosni Mubarak u dënua me burgim të përjetshëm për rolin e pasur në vrasjen e 860 protestuesve gjatë revoltave që sollën fundin e regjimit të tij në fillimin e 2011-s.

Turma shprehu tërbimin e saj ndaj vendimit të gjykatës për të shpallur të pafajshëm dhe liruar disa prej bashkëpunëtorëve kryesorë të njeriut që drejtoi kombin me 85 milionë banorë më shumë se tre dekada.

Katër zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme Egjiptiane dhe dy funksionarë të policisë ishin gjithashtu në gjykim përkrah Mubarak.

Protesta kundër vendimit të gjykatës u mbajtën edhe në qytetet e tjera kryesore në vend, në Aleksandri, Suez dhe Mansura.

Sipas mediave ndërkombëtare, situata është tensionuar deri në atë pikë sa që Egjipti rrezikon të rikthehet në përballje urbane dhe kaos civil, vetëm pak ditë pasi u hoq zyrtarisht statusi i gjendjes së jashtëzakonshme.

Në një zhvillim tjetër, me dhjetëra protestues dhunuan selinë e kandidatit presidencial Ahmed Shafiq, një ish-bashkëpunëtor i Mubarak, në një lagje në jug të kryeqytetit Kajro.

Egjipti do të zgjedhë presidentin e parë të vendit që prej largimit të 84-vjeçarit më vonë gjatë qershorit dhe Shafiq sfidon në balotazh kandidatin e Vëllazërisë Muslimane, Mohammed Mursi.

Top Channel