Në ndryshim nga një ditë më parë kur fshati Rudarë i veriut të Kosovës ishte shndërruar në zonë lufte mes serbëve dhe KFOR-it, këtë të shtunë në veri mbretëronte qetësia.

Dukej se rivendosja e barrikadave siç kishin paralajmëruar nuk ishte në mendjen e serbëve lokalë dhe kjo për arsye se pjesëtarët e komunitetit serb ishin të zënë sepse në këtë ditë nderojnë të vdekurit e tyre.

Top Channel me një makinë civile pa targa identifikuese arriti të kalojë nëpër magjistralen Mitrovicë-Leposaviç në të cilën KFOR-i një ditë më parë largoi barrikadat.

Situata nga aq sa mund të vëzhgohet prej makinës duket e qetë, megjithatë liria e lëvizjes nuk garantohet sidomos për grupe xhirimi nga mediat e Kosovës. Kjo pavarësisht faktit se KFOR-i ndodhet kudo.

Nga aksioni i së premtes KFOR-i duket se ka patur konsideratë vetëm për kryqin e lartë disa metra, i vendosur nga serbët në Rudarë një vit më parë. Edhe pankartat e vendosura më herët në këtë shtëpi me mbishkrimet “Kosova është Serbi” tashmë nuk janë.

Ndërkaq rruga e cila deri vetëm një ditë më parë ishte tërësisht e pakalueshme, të shtunën përveç që barrikadat e betonuara dhe me zhavorr janë hequr, ajo pastrohej në mënyrë të vazhdueshme nga automjetet e KFOR-it. 

Top Channel