SHBA shton anijet ushtarake në Paqësor

02/06/2012 00:00

Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të lëvizin shumicën e anijeve luftarake në zonën aziatike të Paqësorit brenda vitit 2020, ka bërë të ditur sekretari i Mbrojtjes, Leon Panetta.

Panetta tha se deri në vitin 2020 rreth 60 për qind e flotës amerikane do të jetë vendosur atje, duke bërë sa më të qartë strategjinë e Shteteve të Bashkuara në Azi.

Shefi i Pentagonit tha në një takim rajonal mbi sigurinë të zhvilluar në Singapor se lëvizja në fjalë nuk synon të vërë nën kontroll Kinën, që nga ana e saj ka shprehur pakënaqësinë për këtë plan të Amerikës.

Nënëtorin e kaluar presidenti amerikan Barack Obama njoftoi se rajoni i Azisë së Paqësorit ishte “prioriteti numër 1” i politikës së sigurisë së Shteteve të Bashkuara.

Komentet e tij u morën si një sfidë në Kinë, vend që po tenton të bëhet fuqia më e madhe e rajonit në fjalë.

“Nga viti 2020, marina do të ripozicionojë forcat e saj nga ndarja 50 me 50 për qind mes Paqësorit dhe Atlantikut në 60 me 40 për qind mes dy oqeaneve”, saktësoi zoti Panetta.

“Kjo do të përfshijë gjashtë aeroplanmbajtëse në këtë rajon, që janë dhe shumica e flotës sonë, shkatërrues, anije luftarake dhe nëndetëse”, nënvizoi sekretari i Mbrojtjes.

Zoti Panetta shtoi më tej se Shtetet e Bashkuara do të rrisin gjithashtu numrin dhe përmasat e stërvitjeve bashkë me vendet aleate në rajon

Top Channel