Rusi-BE takohen në Shën Petërburg

02/06/2012 19:00

Siria, Irani dhe kriza e euros do të jenë disa nga temat kryesore në axhendën e samitit të 29 Rusi-BE, në program më 3 dhe 4 qershor në Shën Pjetërburg, në vendlindjen e presidentit rus Vladimir Putin.

Pikërisht Putin do të jetë në krye të delegacionit rus, ndërsa nga ana tjetër do të jenë presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, presidenti I Këshillit të Europës, Herman van Rompuy.

Gjithashtu do të jenë të pranishëm shefat e diplomacisë Sergei Lavrov dhe Catherine Ashton.

Siria, Putin rikonfirmon qëndrimin

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin po i reziston presionit diplomatik të Perëndimit, për të mbështetur ashpërsimin e sanksioneve ndaj qeverisë siriane.

Zoti Putin, një aleat i Sirisë, bëri thirrje që t’i jepet më shumë kohë planit të paqes të të dërguarit të OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan.

Shtetet e Bashkuara dhe Britania i kanë bërë thirrje Moskës që të ashpërsojë qëndrimin ndaj regjimit Sirian, sidomos pas masakrës së javës së kaluar në Hula, ku humbën jetën 108 persona.

Më herët, Moska kundërshtoi një rezolutë për Sirinë të propozuar nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara.

Në një sesion të jashtëzakonshëm të mbajtur të premten, këshilli dënoi Sirinë për masakrën në Hula dhe bëri thirrje për një hetim të kësaj ngjarjeje.

Por Rusia votoi kundër rezolutës së mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, duke argumentuar se ajo nuk ishte e balancuar.

Ndërkohë, qeveria amerikane publikoi në një nga faqet e internetit të saj disa foto të bëra me satelit që tregonin varre masive në zonën e Hulës.

Korrespondentët e mediave ndërkombëtare thonë se deklaratat e zotit Putin, të bëra pas një takimi me presidentin francez Francois Hollande, vënë në dukje ndasitë mes Moskës dhe Parisit lidhur me konfliktin në Siri.

Duke folur në një konferencë për shtyp, zoti Hollande bëri thirrje për më shumë presion dhe sanksione, duke vlerësuar se zgjidhja e vetme është dorëheqja e presidentit Bashar al Assad.

Top Channel