Pse zgjedhim kaq keq ne shqiptarët?

02/06/2012 00:00

Zamira Çavo – Politikanët janë ata që, më së shumti, e kanë çuar vendin
buzë greminës. Madje, sot më shumë se kurrë, po e rrënojnë vendin. Dhe
fjala rrënim është jo simbolikisht, por në kuptimin e saj të parë. Po e
rrënojnë ekonomikisht, politikisht , shoqërisht, duke shkelur mbi çdo
nevojë publike, mbi çdo parim moral, mbi çdo vlerë kombëtare. Dhe në
këtë rast Konica i madh do të thoshte: Shqipëria do të vdesë nga
politikanët”!

Në realitet nuk janë ata fajtorët, sepse fajtoret e vërtetë jemi ne që nuk dimë të zgjedhim, ose zgjedhim gabim. Dhe ka disa arsye.

Arsyeja e parë është historike. Kur bota po shijonte frytet e Rilindjes dhe revolucionit industrial, shqiptarët vazhdonin të përballeshin me ekzistencën e tyre. Territori gjeografik kaq i shumëllojshëm i trevave shqiptare, krijonte mundësi të jashtëzakonshme për organizime të veçuara nga njëra-tjetra, por që krijonin mundësi të mëdha “rezistence” . Këto organizime e bënin gati të domosdoshme nevojën e një prijësi, i cili para së gjithash u garantonte largpamësi në drejtim, siguri në betejë, dhe drejtësi në vendim. Ky tip prijësi që karakterizohej nga trimëria dhe drejtësia, u bë simboli i organizimit fisnor, krahinor, e deri te vilajeti. Këto organizime, që ndryshonin nga njëri-tjetri për shkaqe jo vetëm gjeografike, natyrisht kishin në bazën e tyre, nevojën për të mbijetuar nga pushtimet e ndryshme, të cilat historikisht i kishte ndjellë vetë gjeopolitika e vendit tonë.

Të ndarë dhe njëkohësisht besnikë të prijësve të tyre, shqiptarët arritën të mbijetonin në forma të ndryshme duke mos u asimiluar nga të huajt, por duke u transformuar në karakter.

-Shqiptarët nuk patën ambicie. Të detyruar të luftonin për trojet e tyre, të ndarë në të tilla organizime, shqiptarët u mjaftuan të sigurojnë mbijetesën historike. E gjithë kultura jonë u bazua në trimëritë e luftës dhe në gatishmërinë për të luftuar armikun në çdo rast. Shqiptarët u mjaftuan të kënaqen me pak. Ja pse vuçidolasit edhe pse të rrënuar në ato ngrehina që nuk mund të quhen as kasolle, sërish thonë: jemi krenar që kemi Kryeministrin nga fshati kjo ka përbërë bazën e premtimeve pa anë e fund të politikanëve tanë, por dhe faktin që dhe pse varfëria na ka shkuar ku nuk mban më, sërish rrimë “urtë” dhe themi se ka edhe më keq! Prandaj nuk ngrihemi për nevojat tona, por për “dënglat” e politikanëve!

-Besnikëria ndaj “Njëshit” qoftë ky prijës, bajraktar, apo politikan(sot) vazhdon të ekzistojë si një atavizëm social.! Ndoshta prandaj dhe politikanët tanë gjithnjë kanë luftuar për t’u mbështetur nga “krahina” e tyre. Një “qeverisje mbi Drin”, sikundër po flitet këto ditët e fundit për treshen e mundshme të qeverisjes shqiptare, tregon më së miri trashëgiminë historike. Klanet në Shqipëri vazhdojnë të jenë me baza gjeografike!

– Të ndarë në bazë “Prijësish”, shqiptarët e patën shumë të vështirë të pranonin bashkimin. Në 1878, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, dështoi në përpjekjen e saj për të bashkuar vilajetet shqiptare. Ndërkohë Europa kishte ngritur ngrehinën e shteteve kombe të qëndrueshëm dhe po i hapte rrugë zhvillimit ekonomik. Në fundshekullin e 19-të, secili Prijës shqiptar, kishte nga mbrapa besnikët e tij, të cilët shikonin te prijësit e tjerë më shumë “kundërshtarin armik”, sesa bashkuesit e interesave të mëdha. Sepse çdo organizim synonte të ruante “ekzistencën e mbështetësve të tij, dhe frika se mos “Ai tjetri’ mund të përfitonte, e shtyu shqiptarin drejt trajtimit të tjetrit si “armik” dhe pse ky “tjetri” ishte shqiptar, por i një organizimi tjetër. Shqiptarët edhe sot e shikojnë kundërshtarin e tyre si armik. “Prijësit “ tanë politikë ushqejnë çdo ditë “urrejtjen” ndaj kundërshtarit, me njëmijë forma. Dhe shqiptarët u besojnë verbërisht!

-Të detyruar nga historia për të mbajtur sytë hapur dhe pushkën gati, shqiptarët e kishin të vështirë të merreshin me arsimimin e tyre. Mungesa e një gjuhe të shkruar, unifikimi i një alfabeti mbeti në përpjekjet e rilindësve tanë, të cilët përballë nevojës për mbijetesë, nuk arritën ta drejtonin vëmendjen e shqiptarëve nga kultura. Folklori ynë, vazhdoi në këtë mënyrë t’i thurte himne trimërisë dhe jo zgjuarsisë. Ndoshta prandaj sot kërkojmë një “burrë” shteti që të kemi besim tek ai, që ta thotë fjalën e mos ta ndryshojë për njëmijë arsye! Na duhet një “prijës” që të thotë e “di unë dhe pikë”. Mbase prandaj shqiptarët nuk kanë preferuar Ismail Qemalin, Nolin, por kanë mbështetur pa mëdyshje Zogun, Enverin, Saliun… Ne jemi mësuar të drejtohemi nga “ata që na vënë në rresht” ndaj pëlqejmë dhe votojmë diktatorë!

– Të veçuar në jetën tonë, sipas klaneve, pozitës gjeografike, sipas ndarjeve krahinore, kulturat tona kanë ecur përpara, me shumë vështirësi dhe pak komunikim. Pushtuesit u kujdesën dukshëm për të mos lejuar përhapjen e kulturës dhe arsimit shqip. Duke njohur psikologjinë e shqiptarit, sunduesit osmanë, (ata më kohëgjatët si pushtues) ia lejuan të gjitha organizimet politike shqiptarëve, të ndarë në vilajete, të kacafytur mes vetes. Por nuk i lejuan arsimin dhe shkollën. Ata shqiptarë që studiuan jashtë, bënë gjithçka mundën për të përhapur dijen, por ishte gati e pamundur. Mbase prandaj dhe të mençurit e vendit, gjithnjë kanë folur për Shqipërinë nga jashtë saj! Nevoja për arsim në Shqipëri u lidh vetëm me kohën e Enverit dhe atëherë si një mundësi më e madhe për të gjetur një punë në ‘administratë”! Ndoshta prandaj dhe reformat në arsim më shumë se kudo tjetër kanë dështuar…

Së fundmi: të vegjël si organizime, të paarsimuar dhe dyshues në tjetrin, shqiptarët Mikun, e kanë nderuar më shumë se jeta e tyre. Ndoshta nga që të vegjlit dhe të pafuqishmit kanë nevojë për miq që t’i mbështesin! Prandaj Kadare thotë: Shqiptari e ruante atë yndyrë të paktë për mikun dhe pushkën e gjatë! Pra nëse “Miku “ishte dikush me pushtet, që vinte nga diku, e që paraqitej si “mik”, shqiptari ishte gati të jepte gjithçka kishte. Kjo përulësi ndaj të huajit, gati u shndërrua në nevojë për të siguruar një qëndresë më të madhe. Ndaj të huajt kanë bërë me ne si u ka dashur “qejfi”(interesat) dhe ne shqiptarët i kemi besuar si shpëtimtarët tanë. Ndoshta prandaj Konferenca e ambasadorëve në Londër më 1912 vendosi krijimin e shtetit shqiptar duke ia përcaktuar ajo kufijtë. Ndaj, më 1920 Amerika na “shpëtoi” nga shkrirja si shtet, ndoshta prandaj jemi dhe kaq shumë të varur nga të huajt dhe ndoshta prandaj i lejojmë të bëjnë si të “duan” me ne!

Nuk i kam shkruar pa dhimbje dhe keqardhje këta rreshta. Më shumë i kam shkruar si nevojë për t’u zgjuar jo për të rilindur të vjetrën, por për të marrë ne në dorë fatet tona. Të mësojmë se çfarë na duhet për të kuptuar dhe mësuar si të zgjedhim politikisht!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA