Kryeministri Sali Berisha nuk ka kursyer një udhëtim në një nga cepat më jugorë të vendit.
Në komunën e Lukovës e ka çuar përfundimi i punimeve të një hidrocentrali të vogël, ku pas dhënies me koncension u investuan 8.5 milionë dollarë për të prodhuar mestarisht në një vit 35 milionë kilovat. Ky nuk është një hidrocentral i madh, por për kryeministrin Berisha ai është shumë i rëndësishëm për të përmirësuar furnizimin me energji të zonës më të rëndësishme turistike të vendit.
Për kryeministrin, hidrocenrali Sasaj ka edhe një rëndësi tjetër, pasi siç shprehet kryeministri ai është dëshmi sesi po realizohet nga dita në ditë objektivi i tij për të shndërruar Shqipërinë në një vend të zhvilluar.
“Komentet ndaj koncensioneve janë kryekëput keqdashëse, janë zili meskine, të cilat rrjedhin dhe frymëzohen nga interesat politike tepër të ngushta apo interesa biznesi. Unë ju garantoj se gara e koncensioneve ka qenë dhe mbetet një nga faqet më të ndritura në historinë e tregut shqiptar, se gara e koncensioneve ka qenë dhe mbetet Leva e Arkimedit për të ecur me shpejtësinë më të madh në synimin tonë të shndërrimit të Shqipërisë në një superfuqi energjetike rajonale në prodhimin e energjisë së rinovueshme. Kjo është një rrugë e sigurt suksesi, rrugë e sigurt e shndërrimit të Shqipërisë në një vend të zhvilluar”, theksoi kryeministri Berisha.
Sipas kryeministrit Berisha, deri tani ka përfunduar ndërtimi i 46 hidrocentraleve të vogla dhe janë në ndërtim edhe 100 të tjerë me një investim prej 2.5 miliardë euro.
Por, kryeministri beson se hopi i madh do të shënohet me hedhjen në treg të koncensionit për kaskadën e Vjosës që bashkë me gjithë hidrocentralet e tjerë, sipas kreut të qeverisë, do të prodhojnë 20 miliardë kilovat/orë energji, duke e shndërruar Shqipërinë në mënyrë të sigurtë në një eksportues të rëndësishëm të energjisë së rinovueshme.
Top Channel