Afganistan, blic i NATO-s, lirohen 4 pengje

02/06/2012 09:15

Katër punonjës të grupeve civile, të rrëmbyer muajin e kaluar në veri të Afganistanit, janë liruar nga forcat e koalicionit, bëjnë të ditur burime zyrtare.

Dy të huaj dhe dy afganë u liruan në një operacion të zhvilluar të premten në provincën e Badakshanit, ka njoftuar misioni ISAF në një komunikatë për shtyp.

Kanë qenë pesë punonjësit e grupit civil zviceran Medair që u rrëmbyen nga rebelët më 22 maj, 4 prej të cilëve janë tashmë të lirë, ndërsa fati i të pestit nuk dihet.

Sipas njoftimit të komandës së ISAF, pesë pengmarrës kanë mbetur të vrarë gjatë operacionit të shpëtimit të forcave speciale.

“Një skuadër shpëtimi u vendos me helikopter gjatë orëve të errësirës dhe konfirmoi praninë e pengjeve. Pasi siguroi zonën, forcat e ISAF kryen një operacion shpëtimi dhe arritën me sukses të lironin katër pengjet”, thotë komunikata e aleatëve.

Grupi i punonjësve u rrëmbye teksa ata po ktheheshin me kuaj në kampin e tyre në provincën malore të Badashkanit.

Sipas ISAF, ata po mbaheshin në një kafaz kur u shpëtuan. Vetë komanda e Aleancës njoftoi se tani ata janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Policia në provincën e izoluar veri-lindore, që ndodhet në kufi me Taxhikistanin, Kinën dhe Pakistanin, deklaroi se pengmarrësit ishin pjesë e një grupi kriminal që përfitonte nga terreni i vështirë malor.

Top Channel