Siria fajëson kryengritësit për masakrën

01/06/2012 08:20

Autoritetet siriane fajësuan kryengritësit për masakrën e ndodhur në Hula, ndërsa lajmëruan të premten se hetimi i tyre ka arritur në përfundimin që rebelët po përdorin taktika gjithmonë e më të përgjakshme, në mënyrë që të provokojnë një sulm nga jashtë.

Të dhënat zyrtare përjashtuan kategorikisht çdo rol të qeverisë në vrasjen e 108 personave, gjysma prej të cilëve gra dhe fëmijë, gjatë javës së shkuar, kur trupat paraushtarake hynë shtëpi më shtëpi në qytetin e ndodhur pranë vatrës së rebelimit, duke vrarë pa përjashtim këdo që ndodhej në banesë.

Ambasadori amerikan në Organizatën e Kombeve të Bashkuara reagoi menjëherë ndaj këtij pretendimi të Damaskut, duke e konsideruar si një “gënjeshtër të paskrupullt”.

“Nuk ka asnjë provë rrethanore, përfshi edhe raportet që i janë dërguar OKB-së nga ana e monitoruesve në terren, që të mbështesë qoftë edhe pjesërisht pretendimet e qeverisë së Sirisë”, deklaroi ambasadorja Susan Rice.

Më parë, OKB kishte thënë se forcat qeveritare kishin qenë aktive në zonën në momentin e vrasjeve.

Gjenerali Qassem Jamal Suleiman, i cili udhëhoqi komisionin hetimor për masakrën e Hulës, theksoi në raportin e tij se “forcat qeveritare nuk ishin prezente në qytet në kohën kur ndodhi masakra. Viktimat rezultojnë të jenë të gjithë familjarë ose vetë persona që kanë refuzuar të bashkohen me lëvizjen terroriste kryengritëse. Qëllimi i vetëm i këtyre grupeve është të krijojnë një përshtjellim dhe një kaos të tillë, që të mundojnë ndërhyrjen e forcave të huaja në Siri”.

Më parë gjatë javës, të enjten, Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, kritikoi ashpër Moskën zyrtare për mbështetjen që i ka dhënë qeverisë së Bashar al-Assad, duke shprehur hapur se nuk do të lejojë asnjë ndërhyrje të jashtme në vend.

Në më shumë se një vit revolta popullore, mbi 15 mijë persona kanë humbur jetën në Siri sipas aktivistëve. OKB ka konfirmuar të paktën 10 mijë viktima.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA