Rusi, burgoset koloneli agjent i CIA-s

01/06/2012 08:50

Një kolonel në pension në Rusi u dënua nga një gjykatë për spiunazh në shërbim të interesave amerikane, informuan të premten burime zyrtare.

Vladimir Lazar u dënua me 12 vjet heqje lirie në një burg të sigurisë së lartë, pasi Shërbimet Sekrete Ruse (FSB, pasardhësja e KGB), vërtetuan se ai i kishte kaluar CIA-s një disk kompiuterik që përmbante 7 mijë imazhe të hartave dhe projekteve ushtarake ruse.

Lazar udhëtoi në Bjellorusi, për takuar një ndërmjetës, amerikanin Alexander Lasment, që më pas i transferoi hartat në Pentagon.

Ndërmjetësi dhe koloneli kishin krijuar raporte që datojnë që prej vitit 1970, pasi të dy mbaruan studimet në universitetin e Shën Pjetërburgut.

Në proces, Lazar kërkoi një gjykim të përshpejtuar, duke pranuar akuzën e spiunazhit. Sipas agjensisë ruse “RIA Novosti”, ai ka bashkëpunuar me CIA-n që prej vitit 1994.

Ky është episodi i fundit në një zinxhir arrestimesh në Rusi, i individëve që besohet se janë rekrutuar nga CIA për të zbuluar sekrete ushtarake.

Aktualisht, Moska dhe Uashingtoni janë përfshirë në një luftë të ashpër diplomatike, në lidhje me çështjen e kapaciteteve anti-raketë, që amerikanët duan të vendosin në Europë.

Ndonëse ngritja e këtyre bazave zyrtarisht është në kuadër të planit për mbrojtjen e Europës nga kërcënimi Iranian, Moska e sheh si një kërcënim për interesat e saj këtë projekt.

Si rrjedhojë, një seri kundërmasash janë marrë nga pala ruse, përfshi edhe prezantimi i një rakete të sofistikuar, në gjendje që të depërtojë përtej sistemit anti-raketë të NATO-s.

Top Channel