Papunësia në SHBA trondit tregjet

01/06/2012 16:00

Tregjet financiare ndërkombëtare kanë rënë ndjeshëm pas publikimit të të dhënave mbi punësimin në Shtetet e Bashkuara, që rezultuan më negative nga sa parashikohej.

Parashikimet e Dow Jones sugjerojnë se tregjet amerikane do të hapen shumë më të ulëta, ndërkohë që Dax në Frankfurt ra me 4.1 për qind dhe Cac në Paris me 3.1 për qind.

Ekonomia e Shteteve të Bashkuara shtoi 69 mijë vende pune në muajin maj, kuotë shumë më e ulët se parashikimet e ekspertëve.

Ky ishte numri më i vogël i vendeve të punës të krijuara që nga maji i vitit 2001. Kuota e papunësisë u rrit në 8.2 për qind nga 8.1 që ishte në prill, ka bërë të ditur Departamenti i Punës.

Por ajo që ka përkeqësuar situatën ka qenë numri i vendeve të punës në muajin mars dhe prill që u korrigjua duke vajtur në 49 mijë. Bëhet fjalë për pesë milionë vende pune më pak në Shtetet e Bashkuara nga sa ishin kur vendi hyri në reçesion.

Kandidati republikan për president, Mitt Romney deklaroi: “Të dhënat negative të punësimit të publikuara sot janë shkatërruese për punëtorët amerikanë dhe familjet amerikane”. Ai e përshkroi situatën si: “një tregues të keqmenaxhimit të ekonomisë nga presidenti Obama”.

Punësimi u rrit në sistemin e shëndetësisë, transportit dhe magazinim, ndërkohë që ra në sektorin e ndërtimit, tregojnë më tej të dhënat e Departamentit të Punës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA