Presidenti nacionalist i Serbisë, Tomisllav Nikoliç ka deklaruar se masakra e Srebrenicës nuk ishte genocid, por vetëm një “krim i rëndë lufte”.

“Nuk kishte genocid në Srebrenicë. Atje ka pasur një krim të rëndë lufte nga disa serbë, të cilët duhet të gjenden, të gjykohen dhe të ndëshkohen”, ka thënë Nikoliç për një televizion malazez.

“Është shumë e vështirë të akuzosh dikë dhe të provosh përpara një gjykate se një ngjarje e caktuar klasifikohet si genocid”, ka nënvizuar ai.

Presidenti i sapobetuar ka mohuar kështu genocidin më të rëndë të kryer në Evropë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, që ka si autorë trupat serbe.

Nga ana tjetër, ai pretendon se është një lider pro-evropian dhe thotë se do të ndjekë rrugën evropiane për Serbinë.

Në vitin 1995 trupat paraushtarake serbe të Bosnjes hynë në Srebrenicë dhe në një kohë të shkurtër vranë rreth 8 mijë djem dhe burra myslimanë.

Përgjegjësi kryesor për këtë ngjarje të rëndë konsiderohet gjenerali Ratko Mlladiç, proçesi ndaj të cilit në gjykatën e Hagës do të rifillojë më 25 qershor dhe gjatë tij do të dëshmojnë rreth 400 dëshmitarë.

Top Channel