Kinë, arrestohet spiuni i SHBA

01/06/2012 18:00

Një zyrtar i Ministrisë kineze të Sigurisë është arrestuar në vendin aziatik nën dyshimin se spiunonte për Shtetet e Bashkuara duke u kaluar atyre sekrete shtetërore.

Arrestimi është kryer më herët gjatë vitit, por është bërë publik vetëm të premten nga mediat ndërkombëtare perëndimore, që citojnë ato aziatike.

Personi në fjalë ishte sekretar privat i zëvendësministrit të Sigurisë dhe dyshohet se u kalonte Shteteve të Bashkuara informacione mbi shërbimet sekrete kineze.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton refuzoi të komentonte lajmin, që nëse do të konfirmohet do të përbëjë një incident serioz për marrëdhëniet mes SHBA dhe Kinës.

Gjithashtu, ky rast mund të jetë edhe niveli më i lartë i spiunazhit që përfshin dy vendet që prej vitit 1985, kur oficeri i shërbimeve sekrete kineze Yu Qiangsheng dezertoi për në Amerikë.

Sipas burimeve, zyrtari kishte rënë në kurthin e një gruaje të bukur, të ngritur nga CIA. Pasi të dy u fotografuan teksa bënin dashuri fshehurazi, ai u shantazhua nga agjentët amerikanë dhe ra dakord t’u kalonte atyre informacione.

Edhe Ministria e Jashtme kineze ka refuzuar, të paktën për momentin, t’i përgjigjet një kërkese për koment të bërë nga agjencia e lajmeve “Reuters”.

Marrëdhëniet mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara janë karakterizuar së fundmi nga tensione që kanë pasur në qendër figura të profilit të lartëi, si disidenti Chen.

Top Channel