Francë, kërkime për “kasapin” e Kanadasë

01/06/2012 21:55

Policia franceze është vënë në kërkim të aktorit kanadez të filmave erotikë që është shpallur në kërkim për vrasjen dhe copëtimin e trupit të të dashurës së tij.

Luka Rocco Magnotta, 29 vjeç, mendohet se ka udhëtuar nga Montreali në Paris funjavën e kaluar, bëjnë të ditur burime nga policia franceze për BBC.

Viktima e aktorit dyshohet të jetë Jun Lin, një studente 33-vjeçare kineze, ka njoftuar policia e Montrealit, e cila ditë më parë shpalli në kërkim të riun.

Një dorë dhe një këmbë e trupit të viktimës iu dërguan me postë partive politike në Otaua ditën e martë dhe një trup pa kokë u gjet ndërkohë prapa apartamentit të Magnotta-s në Montreal.

Edhe pse rezultatet e ekspertizës nuk kanë dalë ende, policia thotë se është pothuajse e sigurtë që trupi i pajetë i përket Jun Lin.

Ndërkohë, Interpoli lëshoi një kartelë të kuqe, që tregon rrezikun maksimal për personat në kërkim, për të riun Magnotta.

Policia kanadeze deklaroi më herët se i dyshuari mund të ishte larguar nga vendi, në bazë të provave të gjetura gjatë kontrollit të apartamentit të tij, ku ishte dhe një letër ku vrasësi njoftonte largimin e tij.

Ndërkohë, një oficer i policisë franceze ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Associated Press”, se është i sigurtë që 29-vjeçari ndodhet aktualisht në Francë.

Top Channel