Lajmi se udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave mund të jepet në mes të muajit qershor la në hije konkluzionet e Dialogut të parë Strukturor mes Komisionit Evropian dhe Kosovës për fushën e Sundimit të Ligjit.

Stefan Fule, Komisioneri Evropian për zgjerimin e BE-së:

“Në praninë e Komisioneres Malmstrom ne diskutuam se ku jemi me udhërrëfyesin për vizat. Dhe ishte një lajm i mirë që Këshilli ka vërejtur rekomandimin e Komisionit dhe gjithçka është tashmë gati që Cecilia Malmstrom t’ia dorëzojë zyrtarisht autoriteteve të Kosovës këtë udhërrëfyes në mes të muajit qershor”.

Për procesin, që nuk ka nisur akoma, vlen të kujtohet rasti i Shqipërisë, të cilës iu deshën dy vjet e gjysëm kohë për heqjen e vizave nga dita e marrjes së udhërrëfyesit. Ndërkohë në Bruksel, për tre prioritete kyçe që ndikojnë për vizat, dy komisionerë evropianë dhe tre ministrat kosovarë nxorrën disa konkluzione të përbashkëta pas takimit:

Krimi i organizuar

“Komisioni thekson rëndësinë e përmirësimit të kapaciteteve të Kosovës në hetimin dhe ndjekjen efektive të rasteve të krimit të organizuar ndër-kufitar, veçanërisht trafikun e drogës dhe të qenieve njerëzore”, thuhet në konkluzione.

Gjyqësori

“Komisioni nënvizoi rëndësinë e një gjyqësori të pavarur dhe efikas. Pas progresit me miratimin e ligjeve kyçe, Kosova inkurajohet të ndjekë reformën në gjyqësor për të përforcuar më tej pavarësinë, paanshmërinë dhe transparencën”, nënvizohet në konkluzione.

Hajredin Kuçi, zëvendës-kryeministër i Kosovës:

“Unë po ju premtoj Ju Komisioneri Fule dhe vendeve anëtare të BE-së se Kosova do të bëhet një partner shumë serioz dhe shumë i mirë drejt procesit të integrimit evropian. Ne do të përpiqemi dhe do t’i përmbushim detyrimet e atij procesi. Dua ta falenderoj Komisionin Evropian për përgjigjen pozitive për udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe shpresoj se edhe vendet anëtare të BE-së do ta mbështesin atë proces.”

Për të vlerësuar mbajtjen e premtimeve të qeverisë së Kosovës dhe përmbushjen e kushteve brenda afateve të qarta kohore, ky dialog i nivelit më të lartë, i fokusuar në luftën kundër korrupsionit, krimit dhe pavarësisë së gjyqësorit, pritet të mbahet dy herë në vit.

Top Channel