Doktori që i tregoi Shërbimeve të Fshehta Amerikane (CIA) vendndodhjen e Osama bin Laden, Shakeel Afridi, është vendosur në krye të listës së zezë të militantëve islamikë në Pakistan.
”Do ta ndajmë copash sapo ta gjejmë. Ai i tregoi amerikanëve vendndodhjen e martirit dhe heroit tonë Bin Laden. Afridi është një njeri i vdekur”, deklaroi në lidhje telefoni për “CNN” një zëdhënës i talebanëve nëpërmjet telefonit, Ehsanullah Ehsan.
Aktualisht, Afridi mbahet në një burg në qytetin e Pashauarit, në verilindje të Pakistanit.
Një javë më parë, një gjykatë në Pakistan e dënoi mjekun me 33 vjet burgim.
Fillimisht u komunikua se ai ishte gjetur fajtor për akuzën e tradhëtisë së lartë kombëtare, por një kopie e vendimit tregoi se në të vërtetë ai ishte dënuar për lidhje me grupin terrorist Lashkar-e-Islam.
Pavarësisht kësaj, Afridi është vendosur në krye të listës së zezë.
Burgosjen e tij e kritikoi ashpër edhe Sekretarja Amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, që kërkoi lirimin e tij me argumentin se mjeku i shërbeu interesave të përbashkëta të SHBA-ve dhe Pakistanit.
Bin Laden u vra në maj 2011 në një aksion të një njësie elitë të forcave speciale amerikane. Afridi ndihmoi në zbulimin e kreut të Al-Kaedës pasi hartoi një program të rremë vaksinimi, që e lejoi të vizitonte shtëpinë e tij.
Top Channel