Deputeti i Partisë Demokratike Shqiptare, Imer Aliu, akuzoi të enjten në Kuvend Ministren e Brendëshme Gordana Jankullovska, se me arrestimin e 20 shqiptarëve për vrasjen e pesëfishtë dhe shpalljen e tyre si radikalë, ajo tentoi të njollosë popullin shqiptar dhe jo të kapë autorët e vërtetë të vrasjes.

“Ne kemi dënuar vrasjen, e dini shumë mirë, kërkojmë që të gjenden vrasësit, por jo në mënyrën si e bëni ju. Po akuzoni një popull të tërë, po maltretoni njerëz, gra në moshë dhe të pafajshëm të tjerë, që janë të pafajshëm deri sa të dëshmohet fajësia e tyre”, deklaroi Imer Aliu, deputet i PDSH-së.

Në kundërgjigjen e saj ndaj këtyre akuzave, kryeshefja e policisë drejtoi ofendime ndaj deputetit shqiptarë duke i kërkuar të jetë më i vëmendëshme kur flet për këtë rast.

“Zoti Aliu, kini kujdes cfare flisni dhe respektoni rregullat e këtij shteti. Po shoh se ju asgjë s’po kuptoni, thënë më qartë, procedura para hetimore është kryer dhe në bazë të atij hetimi është ngritur padi penale për terrorizëm dhe ne nuk kemi arsye të fshehim se kemi siguruar argumente të cilat ia kemi dorëzuar Prokurorit përgjegjës”, tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme në Maqedoni.  

“Ju vërtetë se ato kërcënimet tuaja do t’ju kryejnë punë. Ju keni gjetur një grup njerëz që ju përulen dhe mendoni se krejt shqiptarët i kemi përulur. Ju sot duhet të prezentoni fakte, ne jemi përfaqësuesit e atyre të cilët ju i arrestuar dhe i njollosët. Kërcënimet tuaja nuk kalojnë tek unë”, tha Imer Aliu, deputet i PDSH-së.
 
Ndërkohë, mësohet se Gjykata Themelore në Shkup u ka vazhduar masën e paraburgimit 30 ditor pesë personave të dyshuar për vrasjen e peshkatarëve maqedonase. Sipas avokati të personave të akuzuar, gjykatësi hetues dhe prokurori ende nuk kanë prezantuar provat dhe dëshmitë që posedojnë për këtë rast.

Top Channel