Manjola Prifti në kartelën e kuqe të Interpolit

31/05/2012 00:00

Emri i Manjola Priftit, e veja e Fatmir Ramës (Miri i Xhikes, figuron me
kartelë të kuqe në listën e Interpolit. Policia e Shtetit zbardh
urdhër-arrestin e drejtësisë italiane, për të cilin thotë se 37-vjeçarja
dyshohet se ka qenë pjesë e një organizate kriminale në qytetin e
Milanos.

Aktiviteti i paligjshëm konsistonte në trafikun e drogës dhe pastrimit të parave dhe ka ndodhur shumë kohë më parë. “Kapja e Manjola Priftit u bë sepse Interpol Tirana, me shkresë nr.869kl/1, Prot LA-FKB 474, datë 27 prill 2012, e ka shpallur në kërkim me kartelë të ‘Kuqe’. Interpol Roma njofton se për këtë shtetase autoritetet Gjyqësore të Milanos, Itali, kanë lëshuar urdhër- arresti me numër 510/04 RES – 726/2005 ROE” pohojnë burimet nga Policia e Shtetit. Sipas saj, vendimi i gjykatës është lëshuar më 11 korrik 2005 për veprat penale të “bashkëpunimit kriminal”, “trafik droge” dhe “pastrim parash”. Masa e dënimit për këto vepra është deri në 11 vite burg.

Ndërkohë, krahas ekzekutimit të urdhër-arrestit nga policia, kanë filluar procedurat nga prokuroria për kërkesën e masës së sigurisë. Mësohet se Prokuroria e Tiranës do të kërkojë një masë arresti 40-ditor, kohë e cila do t’i nevojitet drejtësisë italiane për të sjellë të gjitha provat në Shqipëri për shtetasen në fjalë. “Kemi marrë kontakte me drejtësinë italiane për ekzekutimin e urdhër-arrestit dhe tashmë u kemi njoftuar që të dërgojnë dosjen penale. Përpos këtij veprimi, Prokuroria e Tiranës do të kërkojë në gjykatë një masë arresti me afat, vetëm mbi bazën e kartelës italiane të Interpolit”, thanë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme, të cilat saktësojnë se shtetasja në fjalë nuk ka kryer asnjë vepër penale në vendin tonë.

Tashmë, e veja e “Mirit të Xhikes”, mund të ekstradohet dhe të procedohet në shtetin italian, ku ka jetuar për disa vjet, përkatësisht nga vitit 1996-2000, së bashku me Fatmir Ramën. Nga të dhënat e marra në rrugë operative, prokuroria shqiptare është vënë në dijeni se kreu i grupit ka qenë pikërisht Miri i Xhikes, i cili ka pasur ndihmën e shumë personave të tjerë, madje edhe të nënës së djalit të tij, Manjola Prifti. Drejtësia italiane ka prova shkresore, me dëshmitarë, përgjime dhe vëzhgime për aktivitetin kriminal të këtij grupi që i ka shpëtuar disa herë arrestimit në Itali dhe Shqipëri, duke qenë se kanë pasur “miq” zyrtarë të lartë të prokurorisë dhe policisë. Prokuroria e Milanos ka si provë komunikimet telefonike të Ramës me Priftin, madje edhe transfertat bankare që janë kryer nga këta persona drejt Shqipërisë dhe SHBA-së, ku kanë ngritur aktivitete private.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB