Parlamenti u përfshi sot nga debatet kur u diskutua projekt-rezoluta për punën e Këshillit Kombëtar të Radio-Televizioneve.

Përfaqësuesit e opozitës akuzuan KKRT-në se ka dështuar së qeni një ent rregullator i tregut mediatik. Kurse deputetët e mazhorancës, gjithë duke pranuar problemet në funksionimin e KKRT-së, thanë se KKRT-së i duhet dhënë mbështetja e Parlamentit për të kryer detyrën e saj.

***

Valentina Leskaj, deputete e PS: KKRT ka dështuar në realizimin e qëllimit për të cilin ekziston, pra rregullimin e tregut mediatik. Ka dështuar për sa kohë pranon që ka operatorë që operojnë pa licensë, ose me shkelje të kushteve të licensës, dhe këta nuk janë pak, aty janë pjesa dërrmuese. Ka dështuar në pagesat e licensave sa kohë që ka operatorë që nuk paguajnë, ka dështuar në bashkëpunimin me tatimet sa kohë që gjobat nuk mblidhen. Ka tarifa të cilat nuk janë mbledhur që nga viti 2009. Raporti i KKRT-së pranon dështimin kur thotë se ashtu si në vitet e mëparëshme, pjesa dërmuese e vendimeve të KKRT-së nuk janë ekzektuar nga Drejtoria e Përgjithëshme e Tatimeve duke sjellë efekte negative dhe mosgarantimin e objektiva për konkurencë të ndershme në tregun mediatik. Nuk garanton dot konkurencën e ndershme në tregun mediatik. Ka dështuar në mbrojtjen e autorit, në luftën kundër piraterisë që po lulëzon, madje pranon që nuk mund ta administrojë piraterinë për mungesë kapacitetesh. Ka dështuar në zbatimin e ligjit për reklamat. Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit flet për shpërndarje të reklamave në raporte favoresh, jo në numrin e shikuesve apo të lexuesve. Thënë shqip, me reklama favorizohen televizionet e pushtetit. Natyrisht që reklamat nuk i ka KKRT, nuk i ndan ajo, problemi është se KKRT hesh përballë konkurencës së pandershme. Të gjitha këto nuk i themi ne, por janë thënë në vetë raportin e KKRT-së.

Taulant Balla, deputet PS: Në të tre progres/raportet të Komisionit Europian, 2011,2010 dhe 2009 KKRT vlerësohet si një institucion aspak i pavarur. Gjithashtu, cdo vit, KE na ka kujtuar se këti institucioni i mungojnë kapacitetet administrative dhe teknike.

Mark Marku, deputet PD: Është e vërtetë që KKRT nuk e ushtron plotësisht autoritetin në raport me tregun mediatik, kjo për shkak të delikatesës që ka marrëdhënia me median, qoftë dhe nga ana ligjore. Ne si deputetë mund të identifikojmë që disa media mund të shkelin ligjin, problemi është a mundet që ne të autorizojmë KKRT-në që t’i mbyllë këto media?

Gent Strazimiri: Nëse vetëm për një moment do të kishte patur qetësi në funksionimin e KKRT-së do të kishit marrë të paktën mundimin të plotësonit vendet që keni vakant e që nuk i propozoni në atë KKRT. Por ju nuk doni që KKRT të funksionojë. Është e vërtetë që TVSH (televizioni publik) ka marrë vlerësime shumë negative në disa raste, në mënyrë të vazhdueshme gjatë këtyre 20 viteve. Por TVSH është e detyruar t’i japë të gjitha gjërat sic kanë ndodhur, kur ka ndodhur, sa kanë ndodhur. A është faji i TVSH-së që Sali Berisha ka 3-4 aktivitete në ditë?! A është faji i TVSH-së që Edi Rama ka zgjedhur të komunikojë me publikun nga Twitter dhe jo nga televizioni?! Unë nuk e kuptoj se si TVSH arrin ta cojë kohën e Edi Ramës në 7.9 përqind, se nga Twitter, 7.9 përqind kurrë nuk mund ta kapë kohën televizive. Përsa i përket Bamir Topit, ne jemi të gjithë dëshmitarë se si President i Republikës ka vendosur të komunikojë me këtë parlament dhe me popullin me heshtje. Cfarë t’i bëjë TVSH t’i vendosë fotografinë që të barazohem me kohën televizive të Sali Berishës?!     
 

Presidenti, raundi i dytë, të hënën 

Në mungesë të konsensusit në konferencën e kryetarëve, Parlamenti
miratoi sot pa debat, por vetëm me votat e mazhorancës, datën e seancës
së dytë të votimit për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Seanca e dytë do të mbahet të hënën, më 4 qershor, në orën 10 paradite.
Po ashtu Parlamenti miratoi sot me unanimitet projektligjin për
peshkimin dhe ratikimin e Konventës së Hagës “Për rivendosjen
ndërkombëtare të detyrimit ushqimor ndaj fëmijëve”. 

Top Channel