Itali, 37 tërmete gjatë orëve të natës

31/05/2012 00:00

Nuk ka qenë një natë e qetë në Itali. Pas tërmetit të së martës që shkatërroi rajonin e Emilias, toka është lëkundur sërish plot 37 herë, duke ushqyer tensionin dhe frikën në zonat ku njerëzit jetojnë në çadra.

Sipas raportimeve të mediave italiane, që citojnë autoritetet që mbikëqyrin aktivitetet sizmologjike, 29 lëkundjet janë regjistruar pas mesnatës deri në orën 05:00, në zonën e Emilia Romanjës.

Kjo zonë në 10 ditë është goditur nga dy tërmete të dhunshme me fuqi 5.9 dhe 5.8 ballë, që në total kanë shkaktuar 24 të vdekur dhe rreth 14 mijë të pastrehë.

Gjithësesi, lëkundja më e fortë mes atyre të regjistruara natën që sapo kaloi ka qenë 2.7 ballë në ultësirën lombardeze, në provincën e Mantovës, e verifikuar në orën 04:16, në një thellësi prej 10 kilometrash.

Ndërsa pak pas mesnatës, në orën 00:21, një lëkundje prej 2.6 ballë lëkundi zonat përreth Modenës, të dëmtuara nga tërmeti i dy ditëve më parë.

Ky tërmet u ndje edhe në disa rrethina të qyteteve të mëdha si Bolonja e Ferrara, njoftojnë më tej mediat italiane në edicionet e tyre online. Por jo vetëm veriu i vendit fqinj është prekur nga tërmetet.

Një tjetër me magnitudë 3 ballë është lokalizuar gjatë natës në bregun perëndimor të Kalabrisë. Komunat e prekura kanë qenë ato mes rajonit të Kampanias dhe Bazilikatës.

Top Channel