“Kolaudimi”, burg pa afat

31/05/2012 19:30

Asnjë nga nëntë personat e arrestuar gjatë operacionit “Kolaudimi 2” nuk ka pranuar akuzat e ngritura nga Prokuroria e Durrësit.

Ata dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në këmbim të kryerjes së procedurave të regjistrimit, kontrollit fizik dhe teknik të mjeteve, merrnin shuma të ndryshme parash, me qëllim përshpejtimin e procedurave, si dhe plotësimin e dokumentacionit për mjetet pavarësisht se nuk plotësonin kushtet teknike.

Gjatë këtij hetimi të zbardhur përmes përgjimit telefonik të agjentit 20-vjeçar Idriz Hoxha është zbuluar edhe një tjetër aktivitet i paligjshëm, ai i shfrytëzimit të prostitucionit.

Në Gjykatën e Durrësit u zhvilluan ditën e enjte seancat gjyqësore për verifikimin e kushteve të caktimit të masave të sigurisë për kontrollorët teknikë, administratorin e sistemit informatik pranë Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor dhe pesë agjentët e sigurimeve.

Akuzat e ngritura ndaj të nëntëve janë për korrupsion pasiv, ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj zyrtarëve, si dhe falsifikim dokumentash dhe vulash.

Gjykata, pasi ka dëgjuar pretendimet paleve i ka vlerësuar të drejta vendimet e marra ne mungese për arrest në burg.

Top Channel