Turqia dëbon diplomatët sirianë

30/05/2012 20:20

Turqia është shtetit i fundit që dëbon diplomatët sirianë në shenjë proteste ndaj masakres së civilëve në Hula.

Pasi më parë Franca, Britania, Gjermania, Italia, Kanadaja dhe Australi shpallën këtë vendim, edhe Ankaraja zyrtare informoi të mërkurën se diplomatët kanë 72 orë kohë për t’u larguar nga vendi.

“Duke qenë se ambasadori sirian nuk është në Turqi për momentin, i kërkuam të ngarkuarit me punë të Sirisë dhe anëtarëve të tjerë të personelit diplomatik të ambasadës që të largohen brenda tre ditësh”, deklaroi kryeministri Erdogan.

“Është mizore të qëndrosh në heshtje perballe akteve makabre si ai i pak ditëve më parë apo të besh sikur nuk i ke vënë re ato. Të qëndrosh në krah të tiranëve është njësoj si të jesh dhe vete i tille. Por, ne nuk do të heshtim përballë veprimeve të tilla. Ditët në vijim, sanksionet që janë në zbatim e sipër mund të zgjerohen. Zyrtaret turq po punojnë me detajet”, shtoi kryeministri.

Edhe pse zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut deklaroi një ditë më parë se shumica e viktimave të Hulës ishin ekzekutuar nga milicia pro-regjimit, shabiha, Qeveria Siriane vazhdon të mohojë përfshirjen në masaker.

Por, ndërsa indinjata ndërkombetare rritet, ashtu si dhe thirrjet për masa të forta ndaj Damaskut, Rusia shprehet kategorikisht kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri.

Pohimet e zëvendësministrit të Jashtem Rus, Gennady Gatilov, se Moska nuk do të lejojë ndërhyrjen nga jashtë në konfliktin sirian, i dhanë një goditje të fortë shpresave për një iniciative të re ndërkombetare ndaj Damaskut.

Në një deklaratë të së njëjtes Ministri, dëbimi i diplomatëve siriane cilësohej si jo-produktiv, sepse ne fund, siç thuhet aty, të gjitha kanalet jetike diplomatike përfundojnë të mbyllura.

Vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara janë duke verifikuar ndërkohe edhe pretendimet për të tjera vrasje në mase. 13 trupa të pajetë u gjetën në Al-Sukar, një zonë në lindje të qytetit Deir al-Zour, me duart e lidhura pas shpine dhe shenja që tregojnë se janë qëlluar nga një distancë e afërt.

Kreu i misionit të monitoruesve të zhvendosur së fundmi në Siri, gjeneral-major Robert Mood, u shpreh thellësisht i tronditur nga ky akt i tmerrshem e i pajustifikueshem, siç e përshkroi ai.

Bilanci i viktimave të dhunës përgjatë rebelimit më shume se një-vjeçar ndaj regjimit të Bashar al-Assadit, ka kaluar kuotën e 10 mijë viktimave, sipas parashikimeve më të mira.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA