Siri, dhuna nuk ndalet

30/05/2012 08:45

E ndërsa Perëndimi dëbon ambasadorët dhe përfaqësuesit diplomatikë të Sirisë, në vend dhuna nuk ka të ndaluar dhe viktimat mes civilëve rëndojnë bilancin e përgjithshëm.

Aktivistët opozitarë deklaruan se vetëm ditën e martë kanë mbetur të vrarë të paktën 91 persona, 61 prej tyre civilë, mes të cilëve edhe gra e fëmijë. Sipas Observatorit sirian të të drejtave të njeriut me seli në Londër, viktimat janë regjistruar në disa qytete, kryesisht në veri të vendit ku aktiviteti i opozitës është më i dendur.

Nëse konfirmohen, vrasjet mbërrijnë në të njëjtën ditë kur i dërguari i posacëm i OKB-së, Kofi Anna takoi presidentin sirian Bashara al-Assad. Në këtë takim, përfaqësuesi i OKB-së i kërkoi presidentit sirian të garantojë protestat paqësore e të lirojë të burgosurit e panumërt politikë. Nga ana e tij, Assad këmbënguli se dhuna në vend shkaktohet nga grupet terroriste opozitare, të cilat sic tha ai, Damasku është zotuar t’i luftojë.

Ndërkohë, Annan pritet të raportojë nëpërmjet një video-konference në Këshillin e Sigurimit për situatën më të fundit të sigurisë në Siri, sidomos pas masakrës së Hulës, ku mbi 108 civilë u vranë nga forcat qeveritare.

Ndërkohë, Japonia është vendi i radhës që vendos dëbimin e ambasadorit sirian në Tokio. Ministri i Jashtëm japonez, Koishiro Gemba deklaroi se vendimi për dëbimin e ambasadorit Mohamad Ghassan al-Habash u mor pas dhunës së vazhdueshme të forcave të sigurisë ndaj civilëve në Siri.

Franca, Italia, Gjermania, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Australia janë disa nga vendet që të njëjtin vendim morën ditën e martë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA