Ndryshon akuza për “doktorin e Bin Laden”

30/05/2012 17:00

Doktori pakistanez Shakil Afridi nuk u burgos pasi ndihmoi CIA-n për të arritur tek Osama bin Laden, por për lidhje me një grup militant.

Kështu thuhet në dokumentin e gjykatës që dha vendimin, që sipas BBC ka ndryshuar në mënyrë të papritur, pasi fillimisht ishte thënë se Afridi ishte burgosur për mbledhje informacionesh në favor të inteligjencës amerikane.

Vëllai i doktorit, Jamil, ka hedhur poshtë të dhënat në dokumentin gjyqësor, duke i cilësuar ato si “mbeturina”.


Shakil Afridi u dënua me 33 vjet burg
nga një gjykatë pakistaneze, në një seancë me dyer të mbyllura. Familja e tij thotë se akuzat e ngritura ndaj tij janë të pabaza.

Teksti gjyqësor, i publikuar të mërkurën, tregon se doktori është dënuar pasi po i siguronte mbështetje dhe trajtim mjekësor anëtarëve të grupit militant Lashkar e Islam.

Dokumenti thotë se ka edhe prova se ai ishte përfshirë me agjencitë e huaja të inteligjencës, gjë që do të shqyrtohet nga gjykata të tjera.

Korrespondenti i BBC në Pakistan thotë se, cilado qoftë arsyeja e vërtetë për dënimin e doktorit, shumica e pakistanezëve besojnë se ai u burgos për bashkëpunimin e tij me CIA-n për të kapur Bin Laden.

Top Channel