Ministri izraelit: Në Palestinë, zgjidhje e njëanshme

30/05/2012 21:05

Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Ehud Barak, deklaroi se Tel Avivi duhet të konsiderojë një “zgjedhje të njëanshme”, nëse bisedimet e paqes me Autoritetin Palestinez do të dështojnë.

Barak, një prej figurave më autoritare të shtetit hebre, tha se koaliconi i ri i zgjeruar qeveritar në vend duhet të punojë drejt arritjes së një qëllimi përfundimtar, ndërsa konsideroi se çdo zgjidhje e njënashme do të ishte një mundësi reale për të dalë nga kjo situatë pa krye.

Bisedimet për njohjen e një shteti palestinez u ndërprenë në fund të 2010-s, për shkak të mosgjetjes së një marrëveshje në lidhje me ndërtimet e kolonive hebrehe në Bregun Perëndimor.

Një muaj më parë, Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, i kërkoi Tel Avivit që të ndërpresë ndërtimin e vendbanimeve në tokën palestineze dhe të pranojë kufirin që ekzistonte përpara luftës së vitit 1967.

Ai kushtëzoi rikthimin në tavolinën e bisedimeve vetëm me këtë njohje, por kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka refuzuar që të ndërpresë ndërtimin e kolonive.

Në një fjalim në Universitetin e Tel Avivit në lidhje me çështjet e sigurisë, ditën e mërkurë, Barak theksoi se autoritetet izraelite nuk duhet të presin pafundësisht deri sa palestinezët të binden për nevojën e bisedimeve paqësore, prandaj mund të bëjnë që më parë lëshime që të ndihmojnë procesin e paqes.

“Ky është moment për të udhëhequr një bisedim të vazhdueshëm dhe të qënësishëm për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit, por nëse palestinezët nuk do të heqin dorë nga qëndrimet e tyre radikale, atëherë duhet të marrim në konsideratë një zgjidhje të njëanshme, në të mirë të popullit izraelit, që nuk mund të presë pafundësisht për një paqe të shumëpritur”.

Deklarata e Barak u konsiderua si surprizë nga mediat izraelite, sidomos duke pasur parasysh që kryeministri Netanyahu është tërhequr më parë në vitin 2005 nga një qeveri, që konsideroi mundësinë e një “zgjidhje të njëaanshme në të mirë të paqes”.

Në një deklaratë për shtyp, palestinezët kundërshtuan idenë, duke theksuar se “çdo zgjidhje e njëanshme është e pazbatueshme dhe se e vetmja mundësi për një paqe afatgjatë është nëpërmjet një marrëveshje që do të vijë nga tryeza e bisedimeve”.

Top Channel