Kolumbi, lirohet gazetari i marrë peng

30/05/2012 21:35

Gazetari francez Romeo Langlois, i rrëmbyer një muaj më parë nga rebelët majtistë të FARK në Kolumbi, është liruar.

Ai iu dorëzua një grupi ndërmjetësish ndërkombëtarë në xhungël, në jug të vendit, bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare.

Langlois u shfaq i qeshur kur foli për mediat dhe tha se ishte mirë me shëndet dhe se ishte trajtuar mirë.

Ditën e diel, rebelët njoftuan se do ta lironin zotin Langlois, 35 vjeç, dhe se do t’ia dorëzonin një komiteti ndërmjetësish të përbërë nga anëtarë të Kryqit të Kuq.

Reporteri i “France 24” u kap teksa filmonte shkatërrimin e laboratorëve të kokainës nga ushtria në rajonin e Kakuetës.

Ushtria kolumbiane deklaroi se ai mbeti i plagosur në një krah kur grupi i ushtarëve u sulmua nga rebelët dhe më pas ra në duart e tyre.

Një video e transmetuar më herët nga një televizion venezuelian tregonte zotin Langlois në një kamp në xhungël.

Ai u shfaq me një fasho në parakrahun e tij të majtë, por edhe duke u mjekuar nga pengmarrësit për dëmtimin e tij.

Top Channel