Prej një jave në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” nuk dëgjohen më hapat e Elsës bukuroshe që kudo linte pas gjurmë mirësie. As zëri i ëmbël e mbresëlënës i Erandës.
Nuk është më Dorina me sytë e saj të çiltër e të mbushur plot me dashuri për jetën.
Mungon Eriola që gëzonte pa fituar kurorën e Misit. Aurora me shpirtin e saj poetik. Denisa fjalëpakë që me thjeshtësinë e saj të bënte për vete. Fabiola me natyrën e saj melankolike.
Joana me harenë e saj gjithëpërfshirëse. Lindita me qetësine olimpike. Ermira me buzëqeshjen e saj magjike. Juliana me mprehtësinë e saj të admirueshme.
Edhe pse ka kaluar mëse një javë nga aksidenti i Himarës ku humbën jetën 11 studente të këtij universiteti, mungesa e tyre peshon ndjeshëm.
“S’e vë dot këmbën këtu. Ndjehem keq. Sa hyj në Universitet më duket sikur do të më vijë shoqja”, thotë një studente.
Një tjetër shton: “Ka qenë javë e mbingarkuar emocionalisht, por pak nga pak po e kalojmë. Dukej shkolla si një varrezë.”
Shenjat e zisë, fotografitë dhe lulet janë hequr ditën e shtunë nga ambientet e universitetit pasi gjatë javës kanë vazhduar homazhet nga grupet e studentëve nga Kosova dhe Maqedonia.
Humbja e 11 studenteve do të jetë gjithmonë e lidhur me emrin e ketij universiteti. Gjithesesi, dhimbja në auditore duket se lehtësohet sadopak nga çdo ditë e re që i largon ato nga dita e aksidentit.
Top Channel