Gafa e Obamës indinjon Poloninë

30/05/2012 17:15

Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, ngjalli një tërbim kombëtar ditën e martë në Poloni, pasi bëri një gafë mbi Holokaustin, gjatë një fjalimi në të cilin vlerësoi heronjtë e Luftës së Dytë Botërore.

Në fjalimin e tij, Obama iu referua “kampeve polake të vdekjes”, pa bërë asnjë referencë ndaj nazistëve.

Shtëpia e Bardhë publikoi një deklaratë korrigjuese pak më pas, por kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, protestoi duke e konsideruar këtë gjest të pamjaftueshëm.

Nga selia e qeverisë në Varshavë, ai kërkoi një ndjesë publike nga ana e Presidentit Amerikan.

Në Poloni, një referencë si ajo e Obamës konsiderohet një fyerje kombëtare.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, disa kampe shfarrosje në masë u ndërtuan nga gjermanët në Poloninë e pushtuar.

Më famëkeqi midis tyre është ai i Aushvicit, që së bashku me kampet e tjera polake të Belzekut, Sobiborit apo Treblinkës mbytën në gaz shumicën e gjashtë milionë hebrenjve dhe miliona persona të kombësive të tjera të vrarë nga regjimi i vendosur në Gjermaninë Hitleriane.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA