Frika për Spanjën rrit vlerën e bondeve

30/05/2012 17:50

Diferenca mes kostos së bondeve spanjolle dhe atyre gjermane ka arritur një rekord të ri, për shkak të frikës që ekziston mbi borxhin e Spanjës.

Të ardhurat nga bondet 10-vjeçare të qeverisë spanjolle u rritën në 6.7 për qind, ndërsa ato të Gjermanisë ranë në 1.31 për qind.

Të ardhurat reflektojnë se sa shumë investitorët kërkojnë në këmbim të blerjes së një bondi, pasi të ardhurat më të larta mund t’i bëjnë ballë rrezikut.

Komisioni Europian deklaroi se Spanjës mund t’i jepet më shumë kohë për të arritur një marrëveshje me BE-në për defiçitin buxhetor.

“Ne jemi gati të shqyrtojmë propozimin për një zgjatje të afatit, për të korrigjuar defiçitin e lartë me një vit, deri në 2014-ën”, deklaroi komisioneri për Çështjet Financiare, Olli Rehn.

Ai tha gjithashtu se Bashkimi Evropian do të paraqesë një përllogaritje më tërësore të kursit të ekonomisë në javët e ardhshme.

Sipas rregullave të BE-së, Spanja duhet të reduktojë defiçitin e saj fiskal nga 8.9 për qind të GDP-së në 3 për qind brenda vitit 2013.

Në kuadër të kontrollit të dytë të përvitshëm të shëndetit ekonomik të Bashkimit Evropian, Komisioni ka deklaruar se vendi iberik duhet të ndërmarrë reforma të mëtejshme fiskale, përfshirë shkurtimin e shpenzimeve dhe rritjen e taksave.

KE vlerëson se ekonomia spanjolle do të tkurret me 1.8 për qind gjatë këtij vitit dhe me 0.3 për qind në vitin e ardhshëm, me një papunësi në kuotën 25.1 për qind në vitin 2013.

Top Channel