“Eurovisioni” në shënjestrën e terroristëve

30/05/2012 15:50

Autoritetet azerbajxhanase lajmëruan ditën e mërkurë për arrestimin e 40 personave, me akuzën e planifikimit të një sulmi terrorist ndaj festivalit të këngës europiane, “Eurovisionit”, zhvilluar javën e shkuar në Baku.

Ministri i Sigurisë Kombëtare të Azerbajxhanit lajmëroi se të dyshuarit kishin planifikuar vendosjen e bombave në “Pallatin e Kristaltë”, ku u zhvillua edhe festivali që bashkoi këngët më të mira të 42 vendeve të kontinentit.

Ministri shtoi se lajmi u mbajt qëllimisht i fshehtë, në mënyrë që pjesëmarrësit të mos përfshiheshin nga paniku.

Për momentin, të vetmet burime që konfirmojnë komplotin për të hedhur në erë pallatin ku po zhvillohej “Eurovisioni” janë ato zyrtaret.

Të dyshuarit kishin blerë më përpara bileta si spektatorë dhe kishin prenotuar dhoma në hotele me pesë yje në kryeqytetin Baku, në mënyrë që të mos tërhiqnin vëmendje negative ndaj vetes.

Sipas mediave azere, ata kanë lidhje me grupet militante islamike të Dagestanit, republikës autonome brenda Rusisë, ku muslimanët janë të përfshirë në një lëvizje të fuqishme për pavarësi.

Suedezja Loreen u shpall fituese të shtunën, në kompeticionin e ndjekur nga dhjetëra milionë shikues në të gjithë botën.

Shqipëria regjistroi rezultatin më të mirë në historinë e pjesëmarrjeve të saj në “Eurovision”, pasi kënga “Suus” e Rona Nishliut u rendit në vendin e pestë.

Top Channel