Drejtësia dorëzohet para avokatëve

30/05/2012 20:00

Është shtyrë sërish proçesi ndaj Dritan Dajtit, ndërsa ende nuk është gjetur një mënyrë se si ky gjyq të zhbllokohet, pavarësisht apelit publik të kryetarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni për ndërhyrjen e Dhomës së Avokatisë në proçedimin e avokatëve kryesisht.

Referuar apeleve të shumta të Gjykatës së Krimeve të Rënda edhe ndaj Ministrisë së Drejtësisë për këtë çështje, por edhe për çështje të tjera në të cilat avokatët zvarrisin proçeset duke mos u paraqitur në gjyq, drejtoresha e Çështjeve të Drejtësisë, Marsida Xhaferrllari deklaron për Top Channel se është kërkuar informacion nga Dhoma e Avokatisë, por ministria nuk mund të ndërhyjë për shkak të kufizimeve të ligjit.

Zonja Xhaferrllari deklaron se duhen dëgjuar të gjitha palët, ndërkohë që ministria ka ndërmarrë nismat për ndryshimin e ligjit të avokatisë.

“Me një gjykim konkret, nëse një aovkat konstatohet me shkelje, ndaj tij aplikohet proçedimi disiplinor. Por ka disa mënyra për këtë situatë, pasi avokati duhet të bëjë kujdes maksimal për të shpëtuar klientin e tij. Avokatit i duhet dhënë mesazhi se gjyqtari është i angazhuar për një proçes efikas, duke paraqitur provat ligjore. Por ndodh që gjyqtarët përdorin mjetin më ekstrem, proçedimin disiplinor”, thotë Xhaferrllari.

Top Channel tentoi të kishte një reagim nga Dhomba Kombëtare e Avokatisë, por hasi në indiferencë. Ndërkohë, kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj deklaroi se sa herë dështojnë proçeset bëhen me faj avokatët, ndërkohë që ata kryesisht paguhen shumë pak.

“Shtyrja çdo 15 ditë parashikon proçedimin disiplinor. Nuk është faji i avokatit, por i gjyqtarit”, deklaron Vishaj.


Në një intervistë të mëparshme
dhënë për Top Channel, kryegjyqtari i Krimeve të Rënda, Sandër Simoni deklaroi se, nëse nuk do ketë reagime nga Dhoma e Avokatisë, atëherë kjo gjykatë do detyrohet të përjashtojë nga lista avokatët.

Edhe pse avokatët janë autorët e zvarritjes së proçeseve penale më të rëndësishme në vend, deri tani asnjërit prej tyre nuk i është hequr liçenca, ndërkohë që gjobat që aplikohen janë shumë qesharake për buxhetet e studiove që kanë marrë në mbrojtje bosët e krimit shqiptar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA