Anisa Hysa, flet e mbijetuara

30/05/2012 19:10

Anisa Hysa është një nga vajzat që i mbijetoi aksidentit tragjik të Himarës dhe në një intervistë për emisionin ‘Pasdite në Top Channel’ studentja rrëfen ndjenjat e saj pas aksidentit tw autobusit që ra në humnerë duke shkaktuar 13 viktima.

Dy ditë pasi ndodhi aksidenti ju jeni kthyer në shtëpi. Cfarë ndjetë pas gjithë asaj që kaluat?

Kthimi në shtëpi ishte gjëja më e rëndësishme për mua. Në Vlorë ndihesha keq sepse ai qytet më mbante afër aksidentit dhe kur u largova prej andej më dukej sikur u largova edhe nga tragjedia dhe tmerri që përjetova. Në shtëpi u ndjeva më ngrohtë dhe më pranë jetës.

Si jeni ndjerë gjatë kësaj jave që lamë pas?

Më vuan shpirti për shoqet, por e kam përballuar mirë dhe jam treguar e fortë. Është një mrekulli që unë jam gjallë dhe dua të jetoj sa më mirë jetën sepse është shumë e vlefshme.

Shumë nga vajzat nuk e dinë ende se çfarë ka ndodhur me shoqet e tyre, ndërsa ti e ke mësuar shumë shpejt këtë gjë.

Unë isha në gjendje më të mirë se të tjerat dhe mbeta e fundit në Himarë. Shoqet e mia u dërguan me urgjencë në spital ndërsa unë e kuptova menjëherë se si ishte gjendja. Nata e parë ka qenë shumë e vështirë për mua sepse nuk e dija se kush kishte humbur jetën.
Gjithsesi pak e nga pak po e kaloj dhe mendoj se Zoti më ka falur një jetë të dytë.

Cilat ishin fjalët e para që shkëmbeve me të fejuarin pas aksidentit?

Vetëm falenderoja Zotin për jetën që më fali dhe i thashë që duhet ta shfrytëzoj atë në maksimum së bashku me të dhe të afërmit e mi.

Ëndrra jote më e madhe?

Të gëzoj jetën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA