Blendi Salaj – Ka disa skenarë të mundshëm për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm dhe që të gjithë janë fort të ngatërruar.
Por diçka është më se e sigurt, zgjedhja e presidentit të ri është më shumë se kaq. Përveç kreut të ardhshëm të shtetit, në javët në vazhdim do të vendoset edhe fati i qeverisë “Berisha”. Nga sa është zhvilluar, kjo histori deri më sot, mund të përjashtojmë mundësinë e një presidenti konsenusal që zgjidhet me 84 vota. Sepse politikisht kjo nuk i intereson askujt. Motivet, si zakonisht, shkojnë përtej. Mund të jetë e pamundur të parashikojmë me saktësi se ç’do të ndodhë, por mund të ndërtojmë një skenar, bazuar në interesat e secilës palë.
Mendoj se duhet nisur nga interesat e Ilir Metës dhe LSI-së, pasi ky është faktori kyç që e ka sjellë situatën deri këtu. Lëvizja e LSI ka për qëllim ndërtimin e një platforme elektorale për zgjedhjet e ardhshme. LSI ka nevojë për një fabulë të fortë që të retushojë imazhin e kësaj force pas koalicionit që mbajti Berishën në pushtet pas 2009-s. LSI-së i intereson që në zgjedhjet e vitit 2013 të mos shkojë si partnerët e Berishës. Ilir Meta ka gjetur te marrëveshja me Edi Ramën, një shans fantastik për të pastruar imazhin e tij. Por ky pastrim nuk bëhet me shkopin magjik. Një pjesë e mëkateve të Metës rëndojnë tani mbi Ramën që e mori përsipër rehabilitimin e Metës majtas. Në konkluzion, LSI ka interes ta rrëzojë Berishën, por zgjedhjet e ardhshme të mos jenë të parakohshme, pra një mocion, me emrin e një kryeministri të ri që merr 71 vota dhe formon qeverinë e re.
Rama, nga ana e tij, dëshiron të njëjtën gjë, zgjedhje në 2013-n por Berisha të mos jetë në pushtet deri atëherë. Mungesa e Berishës në Kryeministri do të qetësonte, të paktën psikologjikisht, ankthin e vjedhjes së votave. Rama do të shkonte në ato zgjedhje si njeriu që praktikisht i ka fituar ato, meqenëse ka rrëzuar Berishën 1 vit para se të mbaronte mandatin. Pas dy mandatesh të PD-së në pushtet, socialistët mendojnë se njerëzit janë gati të votojnë opozitën. Do të thotë që PS zgjedhjen e presidentit e sheh si një test të partneritetit të rigjetur me LSI-në, të cilin do ta kurorëzonte mandej me një mocion për kryeministër të ri dhe do ta justifikonte një Zot e di se si në fushatën e ardhshme elektorale.
Berisha, nëse do të donte që gjërat të qetësoheshin, mund ta bëjë këtë në çdo moment, duke pranuar për president një figurë që PS dhe LSI e aprovojnë. Por qëndresa e tij nuk është e paqëllimtë. Zgjedhjet e vitit 2013 nuk do të jenë të lehta për të dhe kjo krizë mund të shërbejë si një mundësi e re. Edhe në rast se Berisha e zgjedh një president, duke siguruar votat në mënyrën e tij, në vitin 2013 do të ketë një mision të pamundur për t’u rizgjedhur për herë të tretë. Kriza ekonomike që ka prekur tanimë të gjithë shqiptarët përbën një të përpjetë të fortë elektorale për qeverinë. Po t’i shtosh kësaj humbjen e aleatit LSI dhe hyrjen në skenë të FRD-së, mbajtja më tej e pushtetit duket matematikisht e pamundur. Prandaj Berishës mund t’i pëlqejë më shumë që zgjedhjet e ardhshme të jenë të parakohshme, për të mos i dhënë kohë as FRD-së të organizohet dhe as LSI-së të riformatojë qëndrimet në elektorat.
FRD, që përfaqësohet në Kuvend me votën e Gazmend Oketës, nuk do të dëshironte që zgjedhjet të vinin pas dy muajsh, pasi ende nuk është shtrirë sa duhet në bazë. Do të ishte më optimale për ta që zgjedhjet të mbahen pas 1 viti dhe nëse Berisha nuk do të ishte në pushtet mot, aq më mirë për FRD-në.
Në fund, mbetet e pamundur të thuash se çfarë do të ndodhë ekzaktësisht, por do të jetë diçka që prek (pak apo shumë) disa nga çështjet që shtrohen këtu. Vëzhguesi i vëmendshëm mund të ketë vënë re se nuk po flitet më për emra konkretë prej disa ditësh, ndoshta sepse në këtë pikë të lojës, presidenti i ri është reduktuar në sebep.
Top Channel