Shoku i autorit të masakrës dëshmon në gjyq

29/05/2012 00:00

Anders Behring Breivik ishte i shqetësuar për pamjen e tij të jashtme,
ka bërë të ditur një shok i autorit të masakrës së vitit të kaluar në
Norvegji.

Sipas tij, ai i kishte bërë operacion hundës për t’u dukur sa më “arjan”, si dhe kishte vendosur pudër në fytyrë dhe ishte shqetësuar për modelin e flokëve.

Ai është ndër shokët e parë që dëshmon në gjyqin ndaj Breivik dhe identiteti i tij është mbajtur sekret, me vetë të pandehurin që nuk është lejuar në sallën e gjyqit.

Kjo është dita e 26-të e gjyqit që po trajton ngjarjet e 22 korrikut të kaluar, kur Breivik vrau me automatik 69 persona në ishullin Utoja dhe tetë persona të tjerë me një bombë në Oslo, si pjesë e një fushate të ndërmarrë prej tij kundër multikulturalizmit dhe kulturës Marksiste.

Nga ana e tij, Breivik pranon vrasjet por mohon përgjegjësitë kriminale. Në gjyq do të vendoset nëse 33-vjeçari është i shëndetshëm mendërisht, gjë që do ta çonte në burg, ndërsa në rast të kundërt ai do të dërgohet në një spital psikiatrik.

Një kontroll i ri psikiatrik, rezultatet e të cilit u publikuan një javë më parë, thoshte se ekstremisti i djathtë është tërësisht i përgjegjshëm për veprimet e tij.

Mediat lokale vlerësuan se rezultatet e ekzaminimit të ri mjekësor kanë krijuar një situatë të papreçedent për proçesin që po zhvillohet kundër vrasësit.

Kjo, pasi gjykata e Oslos ndodhet përpara dy raporteve me përfundime diametralisht të kundërta përsa i përket gjendjes mendore të të pandehurit.

Në të parin, i realizuar vitin e kaluar nga dy ekspertë, ishte arritur në përfundimin se: “autori i masakrave, sot 33 vjeç, ishte një psikopat që vuante nga skicofrenia paranojake”. Kjo do të kishte hapurt dyert çmendisë dhe jo ato të burgut.

Por testi i dytë, i urdhëruar pas polemikave të krijuara nga rezultatet e ekzaminimit të parë, ka arritur në përfundimin e kundërt se: “Breivik është plotësisht i shëndetshëm mendërisht dhe mund të konsiderohet përgjegjës për veprimet e tij nga drejtësia”.

Top Channel