NATO vret anëtarin e vjetër të Al Kaedës

29/05/2012 00:00

Një nga figurat më të vjetra të Al Kaedës në Afganistan ka mbetur i
vrarë në një sulm ajror të forcave të NATO-s, të kryer gjatë fundjavës
së kaluar.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë Aleanca përmes një komunikate për shtyp, në të cilën Sakhar al Taif, me origjinë saudite, përshkruhet si figura e dytë më e vjetër e organizatës në Afganistan.

Ai ka qenë përgjegjës për drejtimin e rebelëve të huaj dhe për sulme kundër trupave të koalicionit dhe vetë atyre afgane.

Ndërkohë, burime talebane nga provinca e Kunarit mohojnë vrasjen dhe deklarojnë se lideri terrorist ishte larguar nga zona e sulmit tre muaj më parë.

Megjithatë, në komunikatën e NATO-s thuhet se: “Sakhar al Taifi vdiq në një sulm ajror me saktësi të lartë në rajonin e Uatahpurit, në provincën e Kunarit”.

Sipas njoftimit për shtyp, një tjetër anëtar i rëndësishëm i Al Kaedës ka mbetur i vrarë në të njëjtin sulm.

Al Taifi, i njohur ndryshe me emrat Mustaq dhe Nasim, organizonte trafikun e armëve dhe transportin e rebelëve në Afganistan. Ai ka pasur lidhje të ngushta me luftëtarët talebanë të zonës.

NATO vlerëson se në Afganistan veprojnë më pak se 100 operativë të Al Kaedës. Megjithatë, kufiri me Pakistanin ku këta luftëtarë veprojnë, është poroz, thotë korrespondenti i BBC në Kabul.

Trupat në terren raportojnë shpesh për dëgjimin e dialogjeve arabe në kanalet e radiomarrëseve dhe kur një gjë e tillë ndodh, ato ndërmarrin operacione kundër militantëve.

Top Channel