Kryeministri francez, më popullori në 50 vjet

29/05/2012 15:40

Ndonëse ka vetëm dy javë në detyrën e tij, kryeministri i Francës, Jean-Marc Ayrault, është më popullori në më shumë se 50 vjet.

Ishte një sondazh i ndjekur nga “Journal du Dimanche”, që tregoi se kryeministri i ri përkrahet nga 65% e francezëve, rezultati më i mirë që prej vitit 1959.

Njëkohësisht, pasardhësi i Fillon është anëtari më popullor i qeverisë, më shumë edhe se vetë presidenti Francois Hollande, për të cilin 61% e francezëve shprehën të kënaqur me punën e tij, pasi fitoi balotazhin përballë Sarkozy me 52% të votave.

”Presidentët, përgjithësisht kanë gëzuar një normë aprovimi më të lartë ose shumë më të lartë se kryeministrat e tyre, për vetë faktin se kanë më shumë përgjegjësi dhe janë më të ekspozuar në media dhe opinionin publik”, vlerësoi një ekspert në “Journal du Dimanche”.

”Megjithatë, Ayrault ka përcjellë një imazh me të vërtetë të mirë, si një njeri i përgjegjshëm, kompetent dhe gjakfrohtë. Ky imazh i përcillet publikut francez dhe e bën atë të ndihet më i qetë. Fakti që Ayrault vendosi të emërojë një qeveri ku numri i femra është i barabartë me atë të meshkujve, i ka dhënë atij në mënyrë të menjëhershme disa pikë përqindje në preferenca”.

Top Channel