Zëvendëskryeministri i Izraelit, Moshe Ya’alon, pranoi në mënyrë indirekte se Shërbimet Sekrete të Mossad mund të jenë ato që kanë ndërtuar virusin e sofistikuar kompiuterik që ka goditur disa vende të Lindjes së Mesme dhe të Afrikës.
Ditën e hënë, një drejtues i firmës së specializuar ruse “Kaspersky Labs” bëri me dije se është konfirmuar infektimi i rrjeteve të insitutucioneve dhe pikave strategjike në Iran, Izrael, Arabinë Saudite, Siri, Liban, Egjipt dhe Sudan.
Sipas tij, ka të dhëna të pamohueshme se virusi i quajtur “Flaka”, një prej më të sofistikuarave ndonjëherë, nuk është vepër e “hackersave”, por e një shteti sovran.
Spekulimet e mediave kanë vendosur nën akuzë “Mossad”-in dhe numri dy i qeverisë së Tel Avivit, Ya’alon, në një intervistë për një radio vendase deklaroi: “Kushdo që e sheh kërcënimin e Iranit si një kërcënim të qënësishëm, është e arsyeshme që të marrë kundërmasa të ndryshme, përfshi edhe këtë. Izraeli është një shtet që ka zhvilluar ndër vite nivelet më të larta të teknologjisë dhe këto pajisje, me të cilat krenohemi, na japin disa mundësi më shumë”.
”Flaka” është një virus që punon në distancë dhe është në gjendje të transferojë të dhëna, fotografi, regjistrime zanore dhe fjalëkalime në një kompiuter, vendndodhja e të cilit nuk është zbuluar.
Në të shkuarën, një tjetër virus i quajtur “Stuxnet” goditi teknologjinë bërthamore të Iranit, veprim për të cilin Teherani akuzoi atëherë Uashingtonin dhe Tel Avivin.
Top Channel