Egjipt, muslimanët premtojnë qeveri gjithperfshirese

29/05/2012 18:50

Kandidati i Vëllazërisë Muslimane në Egjipt, Mohammed Mursi, deklaroi se do të përfshijë një numër të madh forcash politike në qeverinë e tij, nëse do të dalë fitues në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale, që do të zhvillohet në datat 16 dhe 17 qershor.

Në një konferencë për shtyp, Mursi premtoi se qeveria e tij do të ketë një fokus të veçantë të drejtat e grave dhe të fëmijëve, ndërsa theksoi se koha e “një presidenti Supermen” ka marrë fund.

Sipas favoritit për fitoren përfundimtare, posti i presidentit nuk do të jetë më në dorë të një njeriu të vetëm, pasi ai ka si synim ta shndërrojë presidencën në një institucion kolegjial.

Deklarata e Mursit edhi pas një sulmi ndaj zyrave të rivalit të tij, Ahmed Shafiq, i cili gëzon popullaritet të madh dhe premton një qeveri liberale, ndonëse ka qenë një ish-bashkëpunëtor i presidentit Hosni Mubarak.

Në raundin e parë të zgjedhjeve, midis 13 kandidatëve pjesëmarrës, Mursi arriti të fitojë 24,3% të votave, ndërsa Shafiq 23,3% të tyre.

Të dy kandidatët do të përballen në një balotazh, që do të përcaktojë se cili do të jetë presidenti i parë demokratik i Egjiptit, pas 32 vitesh sundimi të Mubarak.

Top Channel