Aborti, debate në Turqi

29/05/2012 16:05

Një deklaratë e kryeministrit Recep Taip Erdogan e bërë pak ditë më parë kundër abortit duke e cilësuar atë vrasje, vazhdon të shkaktojë polemika në Turqi.

Në vijimësi të deklaratës së Erdogan mbeten edhe qendrimet e drejtuesve të lartë të AKP-së, partisë së kryeministrit turk. Kreu i Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut në Ankara kërkoi ndalimin e abortit deri në 10 javë shtatzani.

“Aborti është një krim kundër njerëzimit, që privon të palindurit nga e drejta e tyre për të jetuar”, deklaroi Ayhan Sefer Ustun.

Debati pro dhe kundër abortit në një vend konservator si Turqia shpërtheu pas kërkesës së disa shoqatave për mbrojtje dhe liri të grave, por edhe të disa forcave politike liberale për të lejuar abortin, si masë e nevojshme për të shmangur shtatzaninë e lindur në raste përdhunimi apo në rast kur kjo shtatzani rrezikon seriozisht shëndetin e nënës.

Top Channel