Rusia: Masakra në Siri, edhe rebelët fajtorë

28/05/2012 15:05

Kryengritësit në Siri janë pjesërisht përgjegjes për masakren në Hula ku humbën jetën 108 persona, mes të cilëve 49 fëmijë dhe 34 gra.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Llavov, në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun britanik William Hague në Moskë, tha se vrasjet janë bërë nga një distancë e afërt, në një zonë të kontrolluar nga kryengritesit.

Pyetjes së gazetarëve nëse Bashar Al Asad duhet të jetë pjesë e zgjidhjes në Siri, kryediplomati rus nënvizoi se më i rëndësishëm është fundi i dhunës dhe jo kush mban pushtetin.

“Për ne është plotësisht e parëndësishme se cili është në pushtet në Siri, cili regjim është në Siri. Gjëja më e rëndësishme është të mbështesim mbi gjithçka fundin e dhunës dhe vdekjet e njerëzve, kryesisht civilëve, si dhe të mbështesim dialogun politik, ku sirianët të vendosin për fatin e vendit të tyre. Përsëris nevojën për respektimin e të gjithë aktorëve të jashtëm, të sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë së Sirisë, të drejtën e popullit të saj të vendosë për fatin e tij”, deklaroi Lavrov.

Ndërsa ministri i Jashtëm britanik, Hague paralajmëroi për përshkallëzimin e situatës në Siri, një vend që sipas tij ndodhet në prag të luftës civile.

“Alternativat janë plani i Annan, ose tejshtimi i kaosit në Siri dhe rënia gjithnjë e më shumë në një luftë civile dhe kolapsi”, nënvizoi shefi i diplomacisë britanike.

Përmes një deklarate jodetyruese të miratuar të djelën, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara dënoi vrasjet e së premtes në Hula, ku sipas këtij organizmi, ishte përfshirë edhe artilieria e qeverisë.

“Anëtarët e Këshillit të Sigurimit dënojnë vrasjet e kryera nga një distancë e afërt apo nga abuzimet e pamëshirshme fizike. Ky përdorim kaq mizor i forcës kundër popullsisë civile përbën një shkelje të ligjit ndërkombëtar”, thuhet në deklaratë.

Ambasadori i Sirisë në Kombet e Bashkuara, Bashar Jafari akuzoi anëtarët e tjerë të Këshillit se po përpiqen të keqdrejtojnë botën për rolin e Sirisë në masakër. Jafari pranoi vrasjet, por si pasojë e  bombardimeve. Për Damaskun, ajo çfarë ndodhi në Hula është vepër e terroristëve.

Kreu i misionit të vëzhguesve në Siri, gjenerali Robert Mood tha për BBC se hetimet për masakrën vazhdojnë. Të hënën edhe Kina dënoi vrasjet barbare.

Korrespondenti i BBC në Liban tha se pavarësisht masakrës në Hula, situata në terren nuk ka ndryshuar. Të djelën në Hama u vranë 30 persona. Luftimet vazhdojnë pavarësisht vendosjes së 280 vëzhguesve të misionit të OKB-së.

“I kërkoj qeverisë të ndërmarrë hapa të guximshëm, të dëshmojë se është serioze në qëllimin për ta zgjidhur paqësisht krizën dhe të gjithë ata që janë të përfshirë, të krijojë kushtet për një proçes të besueshëm politik. Dhe ky mesazh për paqe nuk i shkon vetëm qeverisë, por kujtdo, çdo individi të armatosur. Plani gjashtëpikësh duhet të zbatohet gjerësisht dhe kjo nuk po ndodh sot”, deklaroi i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan.

Sipas planit të tij, të dy palët duhet të kishin ndaluar luftimet më 12 prill, përpara se monitoruesit të mbërrinin në Siri. Prej nisjes së konfliktit në këtë vend të paktën 10 mijë persona kanë humbur jetën.

Top Channel