Rio De Janeiro, gara e paqes në favela

28/05/2012 08:40

Oficerët e policisë dhe personazhe të famshëm i janë bashkuar rreth 1500 personave në qytetin e Rio De Janeiros në një garë për të festuar paqen.

“Gara e Paqes” përshkoi rrugën e përdorur nga trafikantët e drogës për tu arratisur nga favela Alemano, ku policët shkuan atje në nëntor të vitit 2010. Edhe ish-pjesëtarë të bandave të drogës morën pjesë në këtë garë 5 kilometërshe në rrugët e lagjeve të varfra.

Për shumë dekada Alemano ka qenë tabu për policinë dhe dhuna e skajshme ishte mbizotëruese në këtë zonë.

Fituesi i garës, Valerio de Souza, theksoi se çmimin prej 2500 dollarësh do e përdorë për të ndihmuar familjen e tij. Kjo është hera e tretë që gara zhvillohet në Complexo do Alemao, një nga zonat ku bandat e drogës kanë bërë ligjin prej shumë kohësh.

Siguria është shndërruar në prioritetin numër 1 të Brazilit që kur vendi fitoi të drejtën për organizimin e kampionatit botëror të futbollit në vitin 2014. Finalja do të zhvillohet në stadiumin “Maracana”, jo shumë larg qytezës së Alemaos.

Top Channel